Partizani në krye me barazim, dalin edhe datat e sfidave për javën e 11-të
Ekipi i Partizanit do vijojë të ruajë kreun e Superligës edhe pas javës së 10 pavarësisht barazimit 2-2 në supersfidën me Vllazninë. Pikën që e mban në vendin e parë, kundrejt Egnatias, të kuqtë e siguruan në minutat shtesë, duke mërzitur publikun shkodran.
”Ishte hera e parë që luaj në Shkodër dhe kishte një atmosferë të mrekullueshme ndaj një kundërshtari cilësor. Besoj se luajtëm pak më mirë, por nuk dua të tregohem arrogant pasi edhe Vllaznia u përpoq”,-u shpreh Aleksandr Veselinovic, trajner i Partizanit.
”Të dhemb gjithmonë kur pëson këto gola në fund të ndeshjes. Ishte një episod i thjeshtë që na ndëshkoi edhe pse nuk e nisëm mirë lojën, ishim nervoz, por më pas treguam moral dhe bëmë një paraqitje pozitive ndaj një kundërshtari cilësor”,-tha Thomas Brdaric, trajner i Vllaznisë.
Java e 11 e Superligës nis të mërkurën në orën 14:00 me sfidën Laçi-Egnatia, ndërsa vijon në orën 17:00 me dy përballje të tjera, Tirana-Vllaznia dhe Skënderbeu-Partizani. Të enjten janë në program Dinamo-Bylis dhe Teuta-Elbasani.