Partizani në “qiellin e shtatë”, rikthehet paqja me tifozët, fitorja shpëton Duron

Fitorja e Partizanit në derbi shpëton trajnerin Shpëtim Duro, pozitat e të cilit pas humbjes së kaluar me Vllazninë në Shkodër ishin lëkundur së tepërmi.  Por Partizani ia del të fitojë ndeshjen e dytë radhazi në derbi ndaj Tiranës dhe kjo arritje ka ngrohur tifozët që dihet se pos titullin kampion, kanë gjithnjë dëshirë të mundet rivali i tyre historik, suksesin e të cilin nuk e dëshirojnë asnjëherë.  Të Kuqtë me këtë fitore barazojnë Tiranën dhe  u ngjitën në kuotën e 50 pikëve, ndërsa Skënderbeu kryesues ndodhet vetëm 4 pikë larg tyre.

Shpëtim Duro

Sipas trajnerit Shpëtim Duro, ky sukses ka vlerë dyfish pasi me triumfin ndaj bardhebluve Partizani nuk fitoi vetëm derbin por edhe tifozerinë. –“Sigurisht fitorja e derbit sidomos me Tiranën na mbyll shumë probleme dhe shumë situata. Unë kam thënë edhe gjatë javës së kjo fitore ishte shumë e rëndësishme pasi mbi të gjitha në kthen qetësinë,” – theksoi Duro.  Më tej Duro thekson se Partizani i  ka lënë pas problemet e shumta të ditëve të fundit.  Fitorja në derbi do t’i shërbejë skuadrës për pjesën e mbetur të kampionatit, të fitojë sa më tepër ndeshje dhe të ngrejë pse jo titullin e munguar kampion, prej vitit 94’. – “Ishte një situatë shumë e vështirë për ne, sidomos mbas eliminimit nga kupa. Na u krijuan probleme me tifozerinë edhe pas humbjes së fundit në Shkodër, çka na i prishi disi planet.  Në derbi kemi luajtur shumë mirë dhe kishim mundësi të shënonim edhe golin e tretë megjithatë unë shumë i kënaqur me skuadrën time. Kjo fitore na rifut në garën për titullin. Skënderbeu është favoriti kryesor, sepse ka 4 pikë më shumë por ne do të tentojmë deri në fund.” – theksoi Duro.

Swiss Digital Desktop Reklama

Nderim Nexhipi

Swiss Digital Mobile Reklama

Edhe njëherë tjetër njeriu derbi rezultoi Nderim Nexhipi i cili në këtë përballje realizoi golin e tij të tretë në tre sfidat e fundit ndaj Tiranës. Kapiteni i Partizanit e pranoi se ky sukses do t’i japë një shtysë më shumë skuadrës për ndeshjet e mbetura deri në përfundim të kampionatit, që skuadra e tij të arrijë objektivin madhor atë të titullit kampion.. – “Mund ta them që fitorja në këtë derbi na jep një shtysë të madhe pasi mbi të gjitha na ngre moralin. Edhe pse vinim pas disa rezultatesh negative ne treguam që kemi karakter dhe jam shumë i lumtur për këtë fitore,” – theksoi Nexhipi.

Emiljano Vila

Emocionet e fitores nuk i fshehu as Emiliano Vila.  – “Kjo ndeshje derbi na ngre moralin pasi vinim pas disa rezultateve jo edhe aq të mira. Ky është derbi i dytë që  fitojmë rresht dhe jam shumë i lumtur për këtë. Pas golit të dytë na u desh të mbroheshim dhe arritëm ta mbronim avantazhin,” u shpreh sulmuesi Vila. Edhe lojtarët e tjerë të Partizanit e kanë përkufizuar fitoren si një triumf në momentet e duhura, për të rikthyer normalitetin në ekip.   

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?