Partizani zyrtarizon emërimin e Skënder Gegës

Klubi i Partizanit ka konfirmuar sot zyrtarisht kthimin e Skënder Gegës në pankinën e të kuqve, duke i dhënë fund eksperimentit të dytë me Arbër Abilaliajn si trajner i ekipit.
Të kuqtë kanë bërë të qartë se emërimi i Gegës është fillimisht deri në fund të këtij sezoni. Kjo me opsion zgjatjen e marrëveshjes nëse arrihen objektiva të caktuara dhe palët kanë dakordësinë për vijimin.
”FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Skënder Gega. Presidenti Gazment Demi në praninë e Drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj ka prezantuar sot para ekipit trajnerin Gega. Ai do të jetë pjesë e të kuqve për pjesën e mbetur te sezonit me opsion rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm. Në drejtimin e Gegës të kuqtë fituan titullin kampion në sezonin 2018-2019. Mirë se rikthehesh në familjen e kuqe Skënder Gega”, shkruhej në njoftimin e klubit kryeqytetas.