Pas Championsit, Juventus në sulm për të rrëmbyer bomberin e Atalantës

Juventus është në kërkim të një sulmuesi qendror me peshë në sezonin e ardhshëm, i cili do të jetë në gjendje që të ndihmojë dyshen Ronaldo-Dybala, të cilët duket se janë të paprekshëm. Në epokën e re të trajnerit Pirlo, Duvan Zapata duket se është zgjidhja perfekte për t’i garantuar më shumë hapësira portugezit.

Prej dy sezonesh kolumbiani është shndërruar në një makineri golash te Atalanta, teksa përveçse shënon vetë shumë, 29-vjeçari ndihmon jo pak të shënojnë edhe futbollistët që luajnë pas shpinës së tij si Iliçiç, Domez apo Malynovski. Pikërisht për këtë arsye drejtuesit e Juves do të provojnë me të gjitha mënyrat për ta transferuar në Torino dhe menjëherë pasi të marrë fund aventura europiane e Atalantës, do të nisin ofensivën.

Aktualisht bergamaskët e vlerësojnë 60 milionë euro kartonin e kolumbianit, ndërsa Juventusi është gati të shkojë deri në 35 milionë euro dhe pjesën tjetër ta kompensojë me futbollistë të tjerë në këmbim. Nëse nuk arrihet të Zapata, plani B është sulmuesi polak i Napolit, Arkadiuz Milik, i cili ka refuzuar rinovimin dhe ka prishur marrëdhëniet me klubin e De Laurentiis, ndaj pritet të largohet këtë verë për të mos ikur me parametra zero vitin e ardhshëm.

Milik është edhe më i lehtë për t’u transferuar, pasi Napoli ka një vlerësim prej 40 milionë eurosh për të dhe është gati të pranojë përveç parave, edhe përfshirjen e ndonjë futbollisti si Bernardeschi në këmbim.

SHKARKO APP