Pedersen fiton etapën e tretë në Vlorë të Giro d’Italia 2025, rikthehet në krye të renditjes
Çiklisti danez Mads Pedersen ka triumfuar në etapën e tretë të Giro d’Italia 2025, e cila u zhvillua në një itinerar prej 160 kilometrash në qytetin e Vlorës, duke shënuar kështu fitoren e parë të tij në këtë edicion dhe duke rimarrë fanellën rozë si lider i renditjes së përgjithshme.
Garuesi i skuadrës Lidl-Trek ishte më i shpejti në sprintin final, ku la pas Corbin Strong (Israel – Premier Tech) dhe Orluis Aular (Movistar Team), duke regjistruar një fitore mbresëlënëse. Pas kësaj etape, Pedersen ka kaluar në krye të renditjes, duke lënë pas sllovenin Primoz Roglic, tani i dyti me 9 sekonda diferencë.
Etapa e tretë u karakterizua nga një arratisje e përbërë nga gjashtë çiklistë: Dries De Bondt, Lorenzo Germani, Joshua Tarling, Mark Donovan, Chris Hamilton dhe Alessandro Tonelli, të cilët e mbajtën vëmendjen e garës për një kohë të gjatë. Megjithatë, në ngjitjen e fundit të ditës, grupi kryesor rikuperoi diferencën dhe gjithçka u vendos në sprint.
Kjo ishte etapa e fundit që zhvillohet në Shqipëri, ndërsa çiklistët do të kenë nesër një ditë pushimi për shkak të transferimit në Itali. Gara do të rinisë të martën me etapën e katërt, që do të zhvillohet nga Alberobello (Pietramadre) deri në Lecce, në një itinerar prej 189 kilometrash, i përshtatshëm për sprintuesit. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

