Perez: Vinicius do kishte fituar “Topin e Artë” pa votat e Shqipërisë dhe 3 shteteve të tjera
Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka folur për herë të parë për “Topin e Artë”, që shkaktoi polemika, për shkak se nuk iu dha Vinicius, por mesfushorit Rodri.
Perez deklaroi se sulmuesi i Real Madrid, do e kishte fituar çmimin prestigjioz, në rast se nuk do të ishin votat e katër shteteve, ku përmend Shqipërinë, Namibinë, Ugandën dhe Finlandën.
“Nëse nuk do të votonin gazetarët nga Namibia, Uganda, Shqipëria dhe Finlanda, Vinicius do të kishte fituar “Topin e Artë”. Këto vende nuk i dhanë asnjë votë. Ne duhet të pyesim, se cilat janë kriteret e tyre për sportin.
“Topi i Artë” duhet të organizohet në mënyrë të pavarur dhe votat për këtë çmim duhet të jenë në duart e njerëzve me prestigj, trajnerëve, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se me votën e tyre rrezikohet edhe reputacioni i tyre”, deklaroi Perez.
“Topi i Artë” u fitua nga Rodri, mes shumë polemikave, që sollën edhe bojkotimin e ceremonisë nga klubi i Real Madrid.