Pero Pejiç si goledor mes Neymar e Ibras, shifrat “trembin” Tirana
Sulmuesi kroat, Pero Pejiç është pranë fitimit të trofeut të “këpucës së artë”, kur duhen edhe dy ndeshja nga mbyllja e garës. Sulmuesi i Kukësit e gjen veten e tij tek 5 golashënuesit më të mirë në botë që nga fillimi i vitit 2015. Nëse në kampionatin shqiptar dhe në Kupën e Shqipërisë 32 vjeçari garën për “këpucën e artë” e ka me veten, nuk ndodh kështu në arenën botërore. Sipas portalit të specializuar në mbajtjen e statistikave, “footballdatabase.eu”, bomberi kroat i Kukësit “lundron” krah për krah emrave më prestigjioz të futbollit botëror. Në krye të listës qëndron 4 herë fituesi i Topit të Artë, asi katalanas, Lionel Messi, i cili ka shënuar 30 gola që nga fillimi i këtij viti në të gjitha kompeticionet. Pas tij vjen shoku i skuadrës, Neymar, me 24 gola, dhe në vendin e tretë është Topi i Artë në fuqi, Cristiano Ronaldo, me 22 gola. Pas yllit portugez vjen pikërisht Pero Pejiç me 21 gola duke ndarë vendin e katërt së bashku me dy sulmues të elitës evropiane dhe botërore, Zlatan Ibrahimoviç dhe Luis Suarez, që në këtë vit kalendarik kanë shënuar po aq sa edhe sulmuesi i Kukësit. Edhe pse ky mbetet një rekord individual për lojtarin kroat, gjithsesi tregon edhe për forcën e kampionëve të dimrit, që humbën garën e titullit në javët e fundit dhe janë në finale të Kupës së Shqipërisë, për të fituar trofeun e parë në histori. Sulmuesi shtatëlartë kroat është ndër lojtarët më të mirë të huaj që ka luajtur në Shqipëri. Ai u evidentua si lojtar cilësor kur erdhi tek Dinamo disa sezone më parë dhe fitoi titullin kampion. Një sezon më parë Pero Pejiç fitoi titullin kampion me Skënderbeun dhe më pas u largua drejt Kukësit. Ai këtë sezon mund të fitojë trofeun e kupës si dhe ka të garantuar trofeun personal të “këpucës së artë.” Por megjithatë edhe pse statistikat janë premtuese, edhe nëse Pero Pejiç do të ishte para sulmuesve të niveleve botërore, sa u përket golave ai nuk do të mund të fitonte trofeun e “këpucës së artë,” pasi koefiçenti i një goli në kampionatin shqiptar është shumë më i ulët se një gol i shënuar në Spanjë, Itali, apo Angli.
Erjon Dushku: Dua ta mbyll me trofeun e Kupës së Shqipërisë
Mbrojtësi i Kukësit Erjon Dushku hedh poshtë zërat për një ftohje të marrëdhënieve me drejtuesit e klubit pas humbjes me Skënderbeun, në një ndeshje që largoi ekipin e tij nga pretendimet për titull. Ai sqaron se kishte munguar në ndeshjen e fundit me Teutën për arsye shëndetësore dhe se prej dy ditësh është vënë nën urdhrat e Radanoviç. “Nuk kam asnjë problem me drejtuesit. Me sa kuptoj dikush dëshiron që Kukësi të mos i arrijë objektivat sepse dihet qe synon Kupën e Shqipërisë. Nuk kam qenë pjesë e skuadrës për arsye shëndetësore, por prej dy ditësh po stërvitem për të qenë gati për ndeshjet e fundit”. Dushku e pranon se Kukësi vuajti presionin e rezultatit me kampionët në fuqi të Skënderbeut. Kjo sipas tij nuk duhet të ndodhë në përballjen me Tiranën, ku nën-kampionët e Shqipërisë kanë dy rezultatet në favorin e tyre. – “Problemi kryesor ishte presioni i madh që nuk u përballuar në mënyrën e duhur. Tani jemi më të qetë dhe duhet që ky presion të mos ndikojë në ndeshjen e radhës me Tiranën, sepse kemi ende objektivave për të arritur. Kemi edhe dy rezultate në favorin tonë ndaj duhet që ta administrojmë mirë lojën.” Sigurimi i Europës nëpërmjet kampionatit është objektivi i parë i Kukësit, që do të mbyllte në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin me ngritjen lart të trofeut të Kupës. – “E kam fituar 4 herë kupën, pjesë mos ta bëj këtë për herë të pestë me Kukësin. Dështuam për në garën për titull por kemi mundësi të mëdha për ta mbyllur me trofe sezonin”.
Gentja Muça: Në Kukës, vendoset fati i Tiranës për Europën
Tirana ka një tjetër objektiv, për dy ndeshjet e mbetura këtë fundjavë në Kukës kërkon fitoren dhe kualifikimin për të mos munguar në Europa League. Transferta e së dielës do të jetë një 90 minutësh me një biletë për në Europë dhe hapat falsë janë të patolerueshëm. Mbrojtësi Gentian Muça flet përpara sfidës së Kukësit, mbi rëndësinë e 90 minutëshit në “Zeqir Ymeri”. – “Jemi të përqendruar për këtë ndeshje sepse na ikën dy finale të rëndësishme dhe ky është treni i fundit për në Europë dhe do të luajmë gjithçka atje,” – shprehet Muça. Një nga lojtarët kryesorë bardheblu e pranon se në ndeshjen e radhës Tirana duhet të korrigjojë gabimet e bëra ndaj Partizanit dhe Skënderbeut, për të mos u përballur me ndonjë dështim. “Kemi zhvilluar ndeshje të mira, por nuk kemi marrë pikët e duhura. Prandaj këtë herë nuk mendoj se ka rëndësi loja, por vetëm pikët edhe nëse luajmë keq. Raste kemi krijuar shumë si me Partizanin, ashtu edhe me Skënderbeun. Duhet të jemi më konkretë përpara portës”. Të martën skuadra dhe tifozët diskutuan për ecurinë e këtij sezoni dhe Muça e zbulon disa detaje të bisedës së zhvilluar me ta. “Na kërkuan që të jemi të motivuar deri në ndeshjen e fundit për të arritur Europën”. Në fund, mbrojtësi i skuadrës kryeqytetase nuk pranoi t’i vendoste një notë ecurisë së tij dhe të ekipit gjatë këtij sezoni, por kërkoi një dhuratë nga skuadra për ditën e 28 vjetorit të lindjes së tij. – “Dhurata më e bukur do të ishte fitorja në Kukës”.
KOHA JONË SONDAZH

