Persekutim i hapur ndaj futbollit, stadiumet mbushen veç me tifozët e Edi Ramës
Bota e sportit dhe e futbollit në veçanti është dashur ta përballojë e vetme krizën financiare të shkaktuar nga COVID-19. Ndihmë jo e jo që nuk ka pasur, por nga ana tjetër të gjithë aktorëve të botës së sportit u është dashur të përballen edhe me arrogancë e ofendime.
U fol për sistem skllavërie, për paga fasonësh dhe pagesa të majme nën dorë. Vetëm u fol, sikurse vetëm u fol edhe për kërkesat e Ligës Profesioniste të Futbollit. Asnjë vepër, vetëm dashakeqësi dhe dëshirë për të siguruar bileta falas për ndeshje ndërkombëtare të Shqipërisë.
Gjithmonë sporti është përdorur si levë nga politika dhe shpresohet shumë që ky realitet të ndryshojë, por nuk mund të ndodhë nëse vijohet me politikat aktuale që nuk nxitin asnjë biznesmen të hedhin qoftë edhe një cent në zhvillimin e sportit.
Politika nuk ndalet me kaq. Komiteti Teknik Shkencor, që supozohet të marrë vendime në nivel ekspertësh dhe të mirë-menduara, ka refuzuar disa herë të japë “OK” për hapjen e stadiumeve dhe pallateve të sportit.
Kur në Kosovë e rajon luhej, te ne basketbolli e volejbolli as nuk ekzistonte. Ekipet stërviteshin vjedhurazi, në pritje të dritës jeshile për të lejuar zhvillimin e ndeshjeve. Në një moment në Federatën Shqiptarë të Volejbollit menduan të transferoheshin në Kosovë.
Kjo do të ishte një goditje e rëndë për autoritetet tona shtetërore që në emër të gjoja shëndetit të njerëzve dhe parandalimit të përhapjes së COVID-19 refuzonin kërkesat e njëpasnjëshme për të rinisur sportet në salla të mbyllura, fillimisht pa tifozë.
Është bërë një vit që edhe futbolli vazhdon të luhet pa praninë e publikut, me letra, pasi praktikisht në shumë stadiume ose protokolli nuk respektohet, ose njerëzit grumbullohen rreth stadiumeve duke i parë ndeshjet nga tarracat e shtëpive, apo sipër ndonjë pirgu dheu, apo edhe sipër ndonjë ure siç ndodh në Librazhd.
Kur asnjë sport nuk ka privilegje, as tifozët nuk kanë. Ndoshta do të duhet të bëhen tifozë politike, sikurse ata që pushtuan para pak kohësh stadiumin Flamurtarit, apo sikur bënë të tjerë sot në stadiumin e Kamzës pa ekip futboll.
Nga politika këtyre takimeve u bëhet reklamë për distancimin social, brenda fushës së blertë, pasi në shkallë nuk ndodh e njëjta gjë. Ata që duan të përjetojnë sërish emocionet e një ndeshjeje futbolli në fundjavë sot janë ndjerë xhelozë, pasi vetëm sporti i politikës mund të ndiqet nga stadiumi…
Burimi: Abcnews.al