Peshëngritësi Briken Calja humb njeriun e shtrenjtë: Do më mungosh përjetë!
Ai i ka dhënë Shqipërisë lavdi në arenën ndërkombëtare të sportit, duke e ngjitur flamurin kuqezi në majat më të larta të podiumeve botërore. Por sot,jeta është treguar e pamëshirshme me kampionin e botës në peshëngritje, Briken Calja,i cili ka pësuar një nga humbjet më të rënda personale.
Mesnatën e fundit ka ndërruar jetë nëna e tij e dashur. Lajmin e trishtë e ka bërë të ditur vetë sportisti nga Shtërmeni i bashkisë së Cërrikut, përmes një postimi prekës në rrjetin social Facebook,ku ka ndarë edhe fotografinë e nënës së tij,një figurë që për të ka qenë frymëzim, mbështetje dhe forcë në çdo sfidë të jetës.
“Shpirti im, engjëlli im, mami … do të më mungosh përjetë”, ka shkruar Calja. Peshëngritësi i ekipit kombëtar të Shqipërisë Briken Calja u shpall kampion bote në vitin 2021 në peshën deri në 73 kg, në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes të zhvilluar në Uzbekistan.
Ai arriti të triumfojë kundër rivalëve më të fortë, përfshirë edhe sportistin nga Tajlanda, duke siguruar medaljen e artë në stilin e shkëputjes dhe dy medalje të argjendta në shtytje dhe dygarësh një sukses historik për sportin shqiptar.
KOHA JONË SONDAZH

