Peshëngritja apel për ndihmë, sportistët: Nëse nuk ndërhyhet, ky sport do të zhduket!
Peshëngritësi, trajnerët e tyre, por edhe pjesëtarë të komunitetit të peshëngritjes, kanë filluar që të zbresin vetë në terren për të gjetur një zgjedhje urgjente të jashtëzakonshme për presidentin e federatës. Ata nuk pajtohen me idenë që federatën ta drejtojë përkohësisht për disa muaj Gudar Beqiraj, i cili njihet po aq fajtor sa edhe presidenti i dorëhequr Elez Gjoza.
Ata i kanë drejtuar një letër Kryeministrit Rama, Ministres së Arsimit dhe Sportit, Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Mediave për një zgjidhje sa më të shpejt, pasi sipas tyre në rast të kundërt sporti i peshëngritjes do të zhduket.
LETRA E PLOTE
“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit në komunitetin e peshëngritjes lidhur me dopingun dhe sponsorizimin nga ana e Federatës Shqiptarë të Peshëngritjes si më parë ashtu edhe në Kampionatin Botëror në SHBA, si dhe keqmanaxhimin dhe abuzimin total që po i bëhet këtij sporti nga kjo Federatë, komuniteti i sportistëve, trajnerëve dhe sportdashësve që i qëndrojnë nga afër këtij sporti, çmojmë t’ju dërgojmë këtë letër të hapur duke kërkuar ndërhyrjen t’ju administrative dhe ligjor.
Situata në sportin e peshëngritjes është në ditën më të keqe të saj dhe abuzimi i përsëritur me dopingun i sponsorizuar nga Federata dhe i ligjëruar nga drejtuesit e papërgjegjshëm të Federatës, rrezikon përjashtimin e sportistëve shqiptarë për vitet që vijnë nga ky sport. Kjo situatë është paralajmëruar nga komuniteti i peshëngritjes dhe ju kemi bërë thirrje disa herë për të ndërhyrë, pasi Federata është marrë peng dhe abuzimi është kthyer në rregull pune. Kjo Federatë ka abuzuar duke mbështetur dhe sponsorizuar dopingun, ka abuzuar me financat e sportistëve duke vjedhur punën dhe djersën e sportistëve. Drejtuesit e kësaj Federte kanë përgjegjësi për të gjithë këto abuzime të ngritura në sistem. Kjo Federatë nuk përfaqëson sportistët, por interesin vetjak të disa personave.
Në këto kushte nevojitet ndërhyrja juaj institucionale, për të zgjidhur këtë problematik, pasi çdo përpjekje e sportistëve dhe njerëzve të sportit, ka rezultuar e pamundur përballë korrupsionit, ndërhyrjeve politike dhe forcës së paligjshmërisë së këtyre drejtuesve gangsterë. Zgjedhjet në këtë Federatë janë të blera dhe korruptive dhe tashmë kjo vjedhje është kthyer në sistem që përsërit veten pa asnjë zgjidhje të mundshme.
Peshëngritja si sport elitar po njolloset nga njerëz të papërgjegjshëm, duke abuzuar në çdo aspekt. Nëse nuk ndërhyhet për të eliminuar abuzimet dhe sponsorizimin e dopingut dhe për të rivendosur normalitetin, ky sport rrezikon që të zhduket përfundimisht. Ju bëjmë thirrje për të ushtruar detyrat tuaja në mbrojtje të sportit.
Me Respekt,
Komuniteti i Peshëngritjes”, shkruhet në letrën e komunitetit të peshëngritjes.

Firmat nga komuniteti i Peshengritjes
KOHA JONË SONDAZH

