Piatek bie viktimë e numrit 9 të mallkuar te Milani, ja historia e çuditshme
Ka zgjatur ekzaktësisht një vit aventura e Krzysztof Piatek tek Milani, por shkëlqimi i sulmuesit polak me fanellën kuqezi ka muaj që është shuar. Gjithçka do të shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme në Milanello në muajt e parë, teksa kalimi nga 19 te 9 mbi shpinë do të sillte edhe rënien drastike të tij.
Përgatitjet e verës shkuan si mos më keq, ndërkohë që në pjesën e parë të kampionatit shënoi vetëm një gol me aksion. Mallkimi i numrit 9 ka goditur sërish, duket si një numër i rezervuar vetëm për SuperPippo Inzaghin.
Një vit më parë u bë protagonist në “San Siro” që në ndeshjen e parë, duke shënuar dy gola në Kupën e Italisë ndaj Napolit. Piatek u bë shumë shpejt një idhull për tifozerinë kuqezi, që mburrej me “pistoletën” e tij të famshme gjatë vektimave. Tashmë ata ndoshta janë të parët që e kanë tallur në rrjetet sociale, teksa sulmuesi polak zyrtarizoi transferimin te Hertha Berlin.
Piatek nuk është i vetmi që ka rënë viktimë e numrit 9 te skuadra kuqezi, pasi më parë e kanë provuar edhe sulmues të tjerë të njohur. Ky numër është kthyer në tabu në vitet e fundit që nga largimi i Inzaghit.
Viktima e parë ishte Pato, i cili braktisi numrin 7 për të marrë 9, duke sjellë menjëherë shumë dëmtime, teksa më shumë qëndronte jashtë fushës se sa në të. Më pas radhën do ta kishin disa sulmues të tjera nga Matri te Fernando Torres, Destro dhe Luiz Adriano.
Lapadula dhe Andre Silva ishin dy lojtarët e tjerë që provuan këtë tabu që po shoqëron kuqezinjtë. Një ndër dëshmitë më të mëdha është edhe dështimi i Gonzalo Higuain, i cili gjithashtu i dha fund aventurës te kuqezinj pas pak muajsh. Askush deri më tani nuk ka mundur që të shfaqë vlerat e tij më të mira me 9 mbi shpinë, teksa Inzaghi duket se nuk e ka bekuar ende pasardhësin e tij. /Rozalb Lika-Koha Jone/