Pioli i thur elozhe Kumbullës para duelit ndaj Romës
Marash Kumbulla e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën te Roma, duke gjetur edhe golin e parë në Europa League. Mbrojtësi i Kombëtares sonë ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, teksa në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri i Milanit i ka thurur elozhe para duelit të mbrëmjes së nesërme.
“Çdo ndeshje është e rëndësishme, e kemi filluar mirë dhe duhet të vazhdojmë me këto ritme. Përballemi me një kundërshtar të fortë që ka fituar 5 në 6 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Një kundërshtar që duket si Milani, konfirmoi një trajner i cili bëri mirë në vitin e tij të parë në Itali, shtuan lojtarë të rinj të fortë si Kumbulla dhe kanë marrë një lojtar të rëndësishëm si Pedro. Një ekip ambicioz, por edhe ne jemi, do të jetë një ndeshje e hapur.
Nëse mendojmë për ndeshjen e qershorit, karakteristikat ndryshojnë, Ibra dhe Rebic kanë karakteristika të ndryshme. Zlatan na jep shumë zgjidhje, si Ibra ashtu edhe Dzeko janë dy sulmues regjisorë. Do të duhet të përpiqemi të kufizojmë furnizimet për Dzekon.
Jam i bindur që e jona është rruga e duhur dhe jam i vetëdijshëm se ka situata që duhet të përmirësohemi për të arritur nivele të caktuara. Mentaliteti ynë duhet të jetë ky, të mendojmë se çdo lojë është më e rëndësishmja. Ne do të nxjerrim shumat në fund dhe do të shohim se kush kishte të drejtë”, deklaroi Pioli.