Pioli: Ibra nuk është shpëtimtari ynë, ndaj Sampdorias do të luajë
Te Milani gjithçka për momentin sillet rreth Ibrahimovic. Trajneri Pioli në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Sampdorias është përqendruar shumë te afrimi i sulmuesit suedez.
“Kemi bërë shumë pak, është momenti të ndryshojmë disa gjëra. Mungojnë edhe 21 ndeshje në kampionat për të ndryshuar sezonin që deri më tani nuk ka qenë shumë pozitiv.
Zlatan është prezantuar mirë si në deklarata ashtu edhe në stërvitje. Ka qenë shumë kurioz për të kuptuar situatën me shokët e ekipit. Nuk ka shumë për të folur, por ka shumë për të bërë.
Nuk ka personalitet të zakonshëm, Ibra është Ibra, po më pëlqen shumë. E kam njohur si kundërshtar, por nuk e kam pasur në dispozicion, një profesionist fantastik. Po sillet në mënyrën e duhur për të kuptuar situatën në të ardhmen. Ka entuziazëm dhe vendosmëri për të treguar që është një kampion.
A do të luajë? Është grumbulluar, është mirë edhe pse nuk luan prej dy muajsh. Çdo ditë po stërvitet dhe ndihet mirë. Fakti që është grumbulluar, do të thotë që do të luajë. Nuk duhet të mendojmë që Ibra është një shpëtimtar, nuk i zgjidh problemet tona por do të jetë një vlerë e shtuar për ekipin”, deklaroi Pioli. /R.Lika-Koha Jone/