Pirlo rigjen liderin e mbrojtjes ndaj Ferencvaros, dilema për formacionin
Juventus ka zhvilluar sot përgatitjet e fundit para duelit ndaj Ferencvaros në Champions League. Andrea Pirlo ka ende disa dyshime për formacionin, ndërkohë që lajmi i mirë është rikthimi i Giorgio Chiellinit.
Mbrojtësi italian është stërvitur me grupin dhe do të udhëtojë në Hungari. Trajneri i bardhezinjve në këtë mënyrë do të ketë në dispozicion liderin e mbrojtjes, i cili u dëmtua në duelin ndaj Dinamo Kiev.
Bardhezinjtë luajnë shanse të mira për kalimin e turit ndaj Ferencvaros. Chiellini mund të zërë menjëherë vend në formacionin titullar së bashku me Bonuccin dhe Danilon. Rikthehet nga minuta e parë edhe Cristiano Ronaldo, pas dopietës ndaj Spezias. Në krahë të tij pritet të jetë Morata, ndërkohë që Dybala me shumë mundësi do ta nisë nga stoli.
Dilemat janë në mesfushë, ku Pirlo ende nuk ka vendosur nëse do të luajë me 5 mesfushorë, ku McKennie do ta niste nga minuta e parë, apo me trekuartist, ku Ramsey do të ishte më i favorizuar. /R.Lika-Koha Jone/