Pjanic i thotë “po” Barcelonës, Juventus mund të marrë dy mesfushorë
Miralem Pjanic pritet të luajë ndeshjet e fundit me fanellën e Juventusit. Mesfushori boshnjak i cili ishte ndër të huajt e parë që u kthye në Torino pas emergjencës së koronavirusit është i destinuar të largohet nga bardhezinjtë për të provuar një aventurë të re.
Pas zërave për një kalim të mundshëm te Paris Saint Germain, së fundmi në skenë për të marrë shërbimet e Pjanic ka dalë Barcelona. Bisedimet mes dy klubeve janë në rrugë të mbarë aq sa dy klubet janë shumë pranë arritjes së një akordi.
Pjanic i ka thënë “po” ofertës së klubit blaugrana, ndërkohë që ky transferim mund të lidhet edhe me atë të kalimit të mesfushorit brazilian Arthur te Juventusi, që vlerësohet rreth 60 milionë euro nga Barça dhe të dy klubet mund të krijojnë plusvalenca të rëndësishme. Barcelona kërkon të përfshijë në marrëveshje kartonët e dy mesfushorëve të tjerë Ivan Rakitic dhe Arturo Vidal.