Plas sherri masiv mes tifozëve të United dhe Tottenham para finales në Bilbao (VIDEO)

Pamje të një përleshjeje të dhunshme mes tifozëve në Spanjë janë bërë virale në rrjetet sociale, vetëm një ditë para finales së Europa League ndërmjet Manchester United dhe Tottenham.
Dy klubet angleze do të përballen të mërkurën mbrëma në “San Mamés” të Bilbaos, në një ndeshje që mund t’u shpëtojë sezonin zhgënjyes dhe të sigurojë një vend në Champions për edicionin e ardhshëm.
Pavarësisht atmosferës kryesisht miqësore që mbretëron në Bilbao, mediat britanike raportojnë për skena shqetësuese në qytetin e afërt, San Sebastian, ku tifozët u përplasën fizikisht. Sipas “The Sun”, incidenti ndodhi në rrugën Fermín Calbetón rreth orës 21:20, kur policia u njoftua për një përleshje të dhunshme.
Dëshmitarët thanë se gjithçka nisi pas shkëmbimit të ofendimeve mes dy grupeve të tifozëve, që më pas degradoi në përplasje fizike. Tifozët u panë duke hedhur sende të forta, madje edhe kosh plehrash dhe pije.
Autoritetet ndërhynë shpejt për të rivendosur rendin. Një ambulancë ndodhej në vendngjarje dhe disa persona morën ndihmë mjekësore në vend, por askush nuk u transportua në spital.
Finalja në Bilbao mbetet e tensionuar, ndërsa autoritetet spanjolle kanë shtuar masat e sigurisë për të shmangur incidente të tjera deri në përfundim të ndeshjes.
