Plas të Lazio, Strakosha përplaset me shokun e ekipit dhe me ultrasit
Situata aspak e mirë te Lazio pas barazimit ndaj Sampdorias në kampionat ka bërë që të shpërthejë indinjata e tifozëve dhe nervat të mos mbahen më. Tifozeria e Curva Nord nuk ka kursyer askënd, por sidomos është kapur me portierin e kombëtares së Shqipërisë, Thomas Strakosha. Gardiani shqiptar hodhi një foto që shoqërohet nga një titull që nuk pranon kritikat që u bënë mbi të pas ndeshjes kundër Sampdorias. Portieri i bardhekaltëve shkruan: “Bla, bla, bla”.
Rrjetet sociale- Kanë qenë të shumtë ish-shokët dhe shokët aktual që e kanë mbështetur për postimin. Felipe Anderson nga Londra i kushton një mesazh: Gjithmonë me këtë fytyrë. Jepi, buzëqesh pasi për pak kohë do të përmirësohen gjërat. Të uroj më të mirën. Correa i dedikon dy zemra mes komenteve, ndërkohë që Durmisi i shkruan: “Je më i miri”.
Ndeshja me Sampdorian- Strakosha ka përfunduar në qendër të kritikave pas ndeshjes ndaj Sampdorias. Një barazim që ka tërbuar tifozët, pasi bardhekaltrit po kryesonin 2-1. Pas golit të pësuar në minutën e 99-të nga Saponara, lojtari i Sampdorias, mbrojtësi Acerbi i drejtohet “çfarë bëre kështu?”. Menjëherë, përgjigja e Strakoshës është me gishtin që mban në gojë si për t’i thënë “mbylle”. Në dhomat e zhveshjes gjithashtu ka pasur tension. Acerbi ishte ankuar për faktin se në vend që të vononte lojën, Strakosha ka goditur rivënien fundore, duke i dorëzuar topin miqve, që shënuan.

Tifozët- Akuza të ashpra ka pasur edhe nga kapoultrasi i grupit “Irriducibili”, Fabrizio Diabolik. “Çfarë i duket vetja atij fëmije?! Të heshtë një mbrojtës që jep shpirtin në fushë dhe ka eksperiencë. Nuk është hera e parë që na dënon. Ai që vitin e shkuar na hoqi Champions me gabimet ndaj Interit!”.
Statistikat- Këtë sezon në kampionat dhe Europa League, Strakosha ka pësuar 20 gola, 18 në Seria A dhe dy në Europa League. Pas ndeshjes ndaj Sampdoriaas sipas mediave italiane, ai ka pasur një takim me Tare-n dhe trajnerin Inzaghi. Duhet më shumë siguri, një gjë që është kërkuar edhe nga trajneri i bardhekaltërve. Strakosha është një portier me kualitet, por që ka vend ende për përmirësim.
Përgatitësi i Lazios, Grigioni është shprehur se gabimet të ndihmojnë për të fituar më shumë siguri. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe babai i tij, Foto Strakosha. Mosha e Thomas, vetëm 23 vjeç duhet të jetë një motiv për të besuar se ai do të fitojë më shumë siguri me kalimin e ndeshjeve, ndërkohë që një pjesë të mirë të fajit e ka edhe mbrojtja e Lazios që është dobësuar shumë pas largimit të de Vrij.
KOHA JONË SONDAZH

