Plas te PSG-ja, Tuchel rrezikon shkarkimin për shkak se kritikoi klubin

Paris Saint Germain fitoi me lehtësi 6-1 mbrëmjen e djeshme ndaj Angers, duke regjistruar kështu suksesin e katërt radhazi në kampionat, por pankina e trajnerit gjerman Thomas Tuchel nuk është më e paprekshme.

Strategu gjerman shpreh i pakënaqur me punën e bërë në merkato dhe theksoi se nëse do të konfirmohet organika aktuale, do të jetë e pamundur të pretendohen të njëjtat rezultate si një vit më parë. Kjo nuk është pritur asapak mirë nga drejtuesi brazilian Leonardo, i cili reagoi menjëherë dhe theksoi se do të merret me këtë çështje.

“Nëse ndonjëri nuk është i kënaqur, atëherë flasim dhe nuk ka asnjë problem për ne. Në momentin që trajneri vendos të rrijë me ne, atëherë është i detyruar të respektojë politikat dhe rregullat e brendshme të klubit. Të jem i ndershëm, deklaratat e tij nuk i kanë pëlqyer as klubit dhe as mua.

Nuk mund t’i pranojmë deklaratat e tij. Jemi duke jetuar në një moment historik dhe nuk është aspak e lehtë. Po shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për t’u përforcuar, por nuk e dimë a do t’ia dalim të sjellim futbollistë të tjerë deri në fund të merkatos”, deklaroi Leonardo.

Gjatë ditës së sotme pritet të ketë edhe një ballafaqim mes brazilianit, drejtuesve të tjerë të klubit dhe trajnerit Thomas Tuchel, ndërsa sipas mediave franceze, gjermani tani rrezikon vërtetë shumë.

SHKARKO APP