
Nico Paz pritet të rikthehet te Real Madridi në merkaton e verës. Në Spanjë janë të bindur se klubi madrilen do të ushtrojë të drejtën e riblerjes për talentin argjentinas, i cili aktualisht shkëlqen me fanellën e Comos. Sipas gazetarit Melchor Ruiz të “Deportes COPE”, drejtuesit e Real Madridit kanë vendosur të aktivizojnë opsionin e rikthimit të lojtarit, i cili kap vlerën e 80 milionë eurove.
Verën e kaluar, Reali ia shiti Comos 50% të të drejtave ekonomike të futbollistit për 60 milionë euro, duke e çuar vlerësimin e përgjithshëm të kartonit të tij në 120 milionë euro. Ndërkohë, në vitin 2024, klubi italian kishte paguar fillimisht 6 milionë euro për të siguruar shërbimet e argjentinasit.
Paraqitjet e Nico Paz kanë qenë një nga surprizat më të bukura të këtij sezoni. Mesfushori ofensiv ka regjistruar gjashtë gola dhe tetë asistime, duke u shndërruar në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës së drejtuar nga Cesc Fàbregas.
Kështu, Como pritet të vazhdojë të shijojë talentin e tij deri në fund të sezonit, përpara se argjentinasi të bëjë hapin e madh drejt rikthimit në “Santiago Bernabéu”.
