Portugalia, kampionia me vetëm një fitore në kohën e rregullt

Sa shumë barriera të thyera në një natë të vetme. Kampionë për të parën herë në histori, vetëm një fitore gjatë kohës së rregullt në Euro 2016, të tretët në grupin e tyre dhe vetëm 72 minuta në avantazh gjatë gjithë turneut. Suksesi 2-0 ndaj Uellsit edhe pse u mbylli gojën kritikëve, përsëri nuk arriti të bindte opinionin sportiv për këtë Portugali.

Ata cilësohen “Brazili” i Europës por në të vetmen herë që nuk aplikuan filozofinë braziliane, arritën të ngjiteshin në majën e Europës.

Ndoshta askush nuk e kishte menduar se 12 vjet pas asaj finale dramatike kundër Greqisë në Lisbonë, Portugalia do të thyente Francën në “Sait Denis” për t’u ngjitur në majën e kontinentit. Një nga pikat ku është kritikuar më shumë ekipi i Santos është pikërisht stili i lojës pasi me lojtarë si Cristiano Ronaldo, Nani apo Renato Sanches, ndoshta Portugalia duhej të kishte bërë më shumë për të kënaqur të apasionuarit e futbollit të bukur, por ata zgjodhën rrugën më praktike.

Portugalia kampione nuk është spektakolare, por me siguri mund të thuhet se është një skuadër praktike që di të mbrohet por edhe të sulmojë në momentin më delikat të kundërshtarit.

Një skuadër e mbrojtur me durim dhe fuqi fizike që nuk e dha asnjëherë shkëndijën e vërtetë, duke krijuar përshtypjen te rivalët se kjo skuadër nuk do të shkonte shumë larg.

Tre pikë me tre barazime në fazën e grupeve ndoshta ishin një sinjal alarmi për tifozët por jo për trajnerin Santos, i cili e dinte shumë mirë se në çfarë rrugë ishte futur.

Viktima e parë e luzitanëve ishte Kroacia, një skuadër e mbushur me talente dhe e fryrë mediatikisht.

Ballkanasit nuk arritën t’u besonin syve që ndeshja shkoi në shtesë pa asnjë goditje në portë, madje ata e pësuan më keq, duke u dorëzuar në kundërsulmin model të inspiruar nga këmbët e njeriut simbol, Cristiano Ronaldo.

Në një kohë që të mëdhatë në anën tjetër të shortit po thyenin kokat e njëra tjetrës, rruga e Portugalisë dukej e shtruar dhe e dyta në radhë që e pësoi ishte Polonia.

Lotaria e 11-metërshave i buzëqeshi Portugalisë, ndërsa në gjysmëfinale nuk kishte histori, diferencën në fushë e bëri Cristiano Ronaldo.

Numri 7, i ndihmuar edhe nga diferencat e mëdha teknike ndaj Uellsit, drejtoi skuadrën e tij në finalen e Parisit dhe karikoi me optimizëm skuadrën.

Një tjetër finale pas 12 viteve dhe si për ironi, ata që kritikuan gjatë Greqinë për lojë të mërzitshme dhe një stil të bezdisshëm, bënë pikërisht të njëjtën gjë ndaj Francës, duke treguar se disa shënime nga ajo finale në Lisbonë i kishin marrë dhe për më tepër kishin në timonin e anijes së tyre një njeri që në Greqi punoi për shumë vite. Santos e vuri theksin mbi të gjitha te shpirti i grupit dhe rifreskoi ekipin me emra si Andre Gomes, Joao Mario e William Carvalho por pati kurajon ta ndryshonte ekipin në ndeshje të ndryshme, madje disa herë edhe brenda një 90 minutëshi, duke u dhënë ndeshjeve kontraste të ndryshme.

Të njëjtën filozofi ai ndoqi edhe në finale. Pasi ftoi ekipin e tij të priste me durim që Franca të shkarkonte gjithë bateritë, skuadra e tij goditi në një moment kur të gjithë mendonin se kjo finale ishte e destinuar të shkonte drejt lotarisë së 11 metërshave. Kjo Portugali është padyshim pasqyrim i projektit të Santos sepse që prej vitit 2014 kur ai mori drejtimin, skuadra ka arritur vetëm një fitore me diferencë më shumë se një gol. Nëse historinë e shkruajnë fituesit, atëherë Portugalia ka të gjithë të drejtën ta bëjë një gjë të tillë. Një skuadër që në gjysmëfinale arrin të luajë pa mbrojtësin e saj më të mirë, Pepe dhe në finale pa sulmuesin kryesor dhe kapitenin Cristiano Ronaldo, këto janë fakte që legjitimojnë suksesin e luzitanëve.

SHKARKO APP