Prapaskena/ Bayerni provoi të “rrëmbente” Yamal dhe Gavin para se të shkëlqenin te Barça
Lamine Yamal vazhdon të mahnisë tifozët e Barcelonës me paraqitjet e tij, por nga jashtë Spanjës nuk mungojnë klubet që ëndërrojnë ta largojnë nga “Camp Nou”. Nga Gjermania vjen një prapaskenë interesante që lidhet me vitin 2022.
Sipas të përditshmes Bild, Bayern Munich kishte nisur kontaktet për të transferuar jo vetëm Yamalin, por edhe Gavi. Fillimisht bavarezët kishin planifikuar një takim me agjentin e Lamine për të diskutuar rreth Gavit, por më pas në tryezë doli edhe emri i adoleshentit spanjoll.
Drejtuesit e Bayernit kishin shprehur hapur dëshirën për ta afruar talentin dhe madje kishin kërkuar një takim me prindërit e tij për t’i bindur. Megjithatë, për shkak të moshës së re, transferimi nuk mund të finalizohej para vitit 2023.
Në vijim, Yamal ndryshoi agjent dhe Bayerni kontaktoi me Jorge Mendes për të vazhduar ofensivën. Por kur lojtari ishte vetëm tre muaj larg mbushjes së 16 viteve, ai debutoi në La Liga me Xavin dhe tregoi cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Në atë moment, largimi nga Barcelona u bë i pamundur: vetë futbollisti ishte i vendosur të arrinte suksesin me fanellën blaugrana.
I njëjti fat edhe për Gavin, i cili refuzoi mundësinë për t’u transferuar në Gjermani për të qëndruar te Barcelona. Për Bayernin, kjo mbetet një keqardhje e madhe, pasi dy nga talentet më të ndritur të futbollit botëror i shpëtuan nga duart, duke u konfirmuar si yje të së tashmes dhe së ardhmes në “Camp Nou”. /R.Lika-Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

