PRAPASKENA/ Fassone zbulon kohën kur Milani tentoi të blinte Ronaldon
Marco Fassone, ish CEO i Milanit , ka pranuar në një intervistë për Sportitalia se kanë bërë përpjekje për të nënshkruar me Cristiano Ronaldon, madje kanë kontaktuar edhe me agjentin e tij.
“Kemi qenë pranë Moratës dhe Aubameyang, por edhe me Belottin në bisedime shumë të avancuara. Ronaldo? Për Mr. Li ishte një fiksim, e don me çdo kusht dhe këmbënguli. Kemi folur për të me Mendes, sepse Cristiano pati deklaruar se do të largohej nga Real Madrid dhe Milani është një klub i madh. Ai e pëlqeu këtë ide. Problemi ishte se operacioni nuk ishte i përballueshëm dhe pasi bëmë disa simulime të brendshme në klub vendosëm që të tërhiqeshim”, deklaroi Fassone për “Sportitalia”.
Në verën e vitit 2017, Milani hoqi dorë nga blerja e Ronaldos, por transferoi një mbrojtës me peshë.
“E pranoj që gabuam me transferimin e Bonuccit nga Juventusi. Kishim një buxhet prej 70 milionë eurosh, por kur lindi mundësia për të transferua Bonuccin, Montella mendoi se ishte më mirë që të shpenzonim për të në mbrojtje. Ku i dihet, nëse do të kishim hequr dorë nga Bonucci, ndoshta gjithçka do të kishte qenë ndryshe”, mbylli deklaratën Fassone. /R.Lika-Koha Jone/