Prapaskena/ Si dështoi transferimi i Uzunit te Trabzonspor në janar
Myrto Uzuni e mbylli merkaton e janarit me shpresën për t’u rikthyer në futbollin europian, por në fund transferimi nuk u realizua. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte në pritje deri në orët e fundit, por operacioni u bë i pamundur, kryesisht për shkak të kostos së kartonit.
Austin kishte investuar 12 milionë euro për ta blerë Uzunin nga Granada, një shifër që frenoi interesimin konkret të disa klubeve europiane. Në Turqi, disa skuadra shfaqën interes, por sipas asaj që raportojnë edhe mediat turke, klubi më i afërt për të finalizuar marrëveshjen ishte Trabzonspori, ku aktivizohet edhe Ernest Muçi.
Negociatat mes palëve shkuan përpara për disa javë, madje kontrata personale e Uzunit ishte pothuajse e dakordësuar: rreth 3 milionë euro në sezon, plus bonuse. Megjithatë, marrëveshja u prish në fund për shkak të mospërputhjes në vlerësimin ekonomik mes klubeve, duke bërë që transferimi të dështojë në momentet vendimtare.
Kështu, për Uzunin shtyhet edhe më tej rikthimi në Europë, ndërsa merkatoja e janarit mbyllet me keqardhje dhe shumë pikëpyetje për atë që mund të kishte qenë.
KOHA JONË SONDAZH

