Premier League në fazën vendimtare: City i Guardiolës sfidon epërsinë e Arsenalit
Premier League po hyn në fazën më vendimtare të sezonit, me nëntë javë të mbetura ku gjithçka është ende e hapur. Arsenali, me shtatë pikë avantazh ndaj Manchester Cityt, konsiderohet favoriti kryesor për titullin. Megjithatë, “Citizens” kanë dëshmuar vazhdimisht se luftojnë deri në fund. Pas 29 javësh, Arsenali kryeson me 67 pikë, por ka luajtur një ndeshje më shumë. Manchester City është ndjekësi i tyre më i afërt me 60 pikë.
Arsenali është paralajmëruar nga e kaluara: nuk duhet të festojë para kohe. Pep Guardiola ka treguar aftësinë e tij për të fituar tituj në Premier League, duke siguruar gjashtë trofe në nëntë sezone në Angli. Një faktor kyç ka qenë performanca e shkëlqyer e ekipit të tij në fazat finale të sezonit, duke grumbulluar shpesh 21 ose më shumë pikë nga 27 të mundshme në shtatë nga nëntë sezonet. Kjo ritëm shpesh ka bërë që City të kapërcejë rivalët.
Situata aktuale nuk është e panjohur për trajnerin spanjoll. Manchester City ka përmbysur Arsenalin dy herë në pesë vitet e fundit. Në sezonin 2022/23, City ishte pesë pikë pas Arsenalit pas 29 ndeshjesh, por e mbylli kampionatin si kampion me 89 pikë, pesë më shumë se “Topçinjtë”. Historia u përsërit në 2023/24, ku City, megjithëse me një pikë disavantazh në fillim të fazës finale, e fitoi titullin me dy pikë avantazh.
Këtë sezon, përmbysja për Manchester Cityn duket më sfiduese, pasi diferenca prej shtatë pikësh është më e madhe se në dy rastet e mëparshme. Megjithatë, Guardiola ka një “as nën mëngë”: një ndeshje më pak të luajtur dhe një përballje direkte kundër Arsenalit në “Etihad” më 19 prill. Kjo ndeshje mund të jetë vendimtare për fatin e titullit. Guardiola theksoi se “është një diferencë e rëndësishme, por shumë gjëra mund të ndodhin. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të ushtrojmë presion ndaj Arsenalit, të qëndrojmë afër dhe të shfrytëzojmë çdo gabim. Duhet t’i mundim në shtëpi.”
Gjithashtu, duhet marrë parasysh situata e të dyja skuadrave në Champions League dhe kupat vendase. Pep paralajmëroi për ndikimin e FA Cup, finales së Carabao Cup dhe Champions League, si dhe dëmtimet. Arsenali pritet të kombinojë kampionatin me garat evropiane deri në fund, ndërsa situata e Cityt në Champions League duket më e favorshme pas fitores 3-0 ndaj Real Madridit në ndeshjen e parë. Një test i menjëhershëm është finalja e Carabao Cup mes Manchester Cityt dhe Arsenalit më 22 mars në Wembley. Kalendari i Premier League për Cityn parashikohet më i vështirë, me ndeshje kyçe në shtëpi kundër Arsenalit dhe Aston Villas, si dhe udhëtime te Chelsea dhe West Ham. Arsenali do të presë Newcastle dhe Fulham, ndërsa do të vizitojë Manchester Cityn.
Marrë nga Marca Premier
KOHA JONË SONDAZH

