Premire League rrezikon të mos rinisë, rasti i tretë pozitiv në një nga klubet
Premier League kërkon që të rinisë futbollin në qershor, teksa shumica e klubeve janë dakord që të zbresin në fushë, por nuk ka një akord total. Ka klube si Watford, Aston Villa dhe Brighton që po tentojnë të ngrenë barriera. Pikërish Brighton ka bërë të ditur se ka rezultuar një tjetër rast pozitiv me Covid-19 në ekipin e tyre, një lajm që mund të ndikojë dhe në të ardhmen e kampionatit anglez.
CEO i klubit anglez, Paul Barber duke folur për “Sky Sports” u shpreh: “Është shqetësuese. Përkundër të gjithë hapave që kemi ndërmarrë në javët e fundit, futbollistët nuk janë përfshirë në ndonjë stërvitje së bashku, kemi gjetur një tjetër rast pozitiv ndaj virusit”.
Ideja është që të mbyllet kampionati me 9 ndeshjet e mbetura dhe tri turne në FA CUP, në më pak se dy muaj. Një tur force që do të jetë i vështirë për ekipet angleze, edhe pse janë mësuar me kalendare të ngjeshura sfidash. Pas disa ditësh do të nisin stërvitjet në grup, ndërkohë që më pas do të merret edhe një vendim final për të ardhmen e këtij sezoni. /R.Lika-Koha Jone/