Presidenti Duka tregon bilancin për vitin 2024: Ishte sfidues, por futbolli ka pasur rritje
Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë për Gazetën Telegraf, ku foli për ecurinë e kampionatit shqiptar, investimet e FSHF në përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe performancën e Kombëtares në EURO 2024 dhe Nations League. ”Finalet e Euro 2024 ishin një arritje historike, me Kombëtaren që u kualifikua për të dytën herë në histori në turneun më të madh në Europë. Një paraqitje dinjitoze ndaj tre prej skuadrave më të mëdha në kontinent, teksa edhe tifozët kanë po ashtu një paraqitje fantastike nëpër tribuna, duke krijuar emocione të paharrueshme. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për të gjithë dhe mendoj se e kemi shijuar shumë”,-tha Duka.
Futbolli shqiptar do “heshtë” për tre javë, ju si e përshkruani rrugëtimin në të gjitha kategoritë?
– Këto tre javë pauzë na japin kohë për reflektim mbi gjithë çfarë kemi kaluar gjatë vitit që po mbyllim. Futbolli shqiptar ka patur arritje dhe sfida, nga sukseset e Kombëtares me kualifikimin për në finalet e Euro 2024 deri te rivaliteti i fortë në kampionatet “Abissnet Superiore” dhe Kategorinë e Parë. Është një vit që na ka sfiduar, por gjithashtu ka treguar një nivel gjithnjë e më të lartë të profesionalizmit dhe përkushtimit. Patjetër që ka shumë punë për të bërë, por duhet të them se ka pasur progres në të gjithë drejtimet, jo vetëm në nivelin e konkurrencës, por edhe në infrastrukturë dhe masivizimin e futbollit dhe afrimin e më shumë djemve dhe vajzave me këtë sport magjik.
Cilat kanë qenë sipas jush dukuritë e garës që kanë ndikuar në ecurinë e futbollit shqiptar?
– Ecuria është ndikuar nga disa faktorë kyç. Rivaliteti mes ekipeve është rritur, dhe kjo është diçka pozitive. Nga ana tjetër, kemi sfiduar veten me organizime më të mira dhe kemi investuar në infrastrukturë. Megjithatë, ka ende punë për t’u bërë për ta përmirësuar eksperiencën e tifozëve dhe për të ndihmuar skuadrat të rrisin performancën. Pavarësisht përpjekjeve të gjithë komunitetit të futbollit për të çuar përpara zhvillimin e lojës tonë, kemi parasysh edhe kontekstin social të vendit tonë dhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët, gjë që reflektohet në një farë mënyre edhe te futbolli.
Në Abissnet Superiore, viti 2024 u mbyll me kryesimin e Dinamos, në Kategorinë e Parë me Vorën. Është ky një dominim kryeqytetas?
– Pa dyshim, kryesimi i dy kampionateve kryesore prej Dinamos dhe Vorës tregon një rritje të ekipeve të kryeqytetit dhe në fakt një shembull që tregon qartë se kur punohet me një projekt e strategji dhe vizion, rezultatet nuk vonojnë. Ky është një reflektim i investimeve dhe organizimit të mirë të këtyre klubeve.
Mirëpo, duhet të theksoj se futbolli shqiptar nuk ka shënuar progres vetëm te klubet e kryeqytetit. Kemi gjithashtu ekipe nga qytete të tjera që janë rritur shumë dhe po të shohim renditjet provizore të këtyre kampionateve kuptohet që ka rivalitet dhe potencial të madh nga të gjitha skuadrat.
Referuar renditjes së Superiores në 19 javë, cilat janë dritëhijet e saj?
– Aspekti pozitiv është sigurisht rivaliteti i lartë dhe ndeshjet emocionuese që na kanë dhuruar thuajse të gjitha skuadrat në këtë sezon. Nëse do më duhet të veçoj problematika, mbase kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e konsistencës së disa ekipeve dhe sfidat e lidhura me infrastrukturën, për të cilën po punojmë vazhdimisht në bashkëpunim me të gjithë aktorët për ta përmirësuar në të gjitha nivelet. Gjithsesi, mendoj se jemi në rrugën e duhur për t’i adresuar këto problematika.
Në Kategorinë e Parë janë tre protagonistë në renditje. Mos po vjen një “Final 3” në këtë kategori?
– Kjo kategori është kthyer në një garë tejet tërheqëse, dhe fakti që kemi tre protagonistë për kreun është një sinjal i fortë se niveli po rritet edhe në këtë kampionat. Një “Final 3” mund të ishte një skenar fantastik për t’i dhënë kësaj lige më shumë vlerë dhe emocion deri në ndeshjet e fundit të sezonit. Sidoqoftë, në Kategorinë e Parë ka edhe plot skuadra të tjera që mund të rivalizojnë deri në fund kreun dhe do të mbajnë garën të ndezur.
Gjatë vitit 2024, tifozeria shqiptare ka marrë “mungesë pa arsye”. Ju e mendoni kështu?
– E preka edhe pak më parë këtë temë, mbase në këtë drejtim ndikojnë edhe faktorë të tjerë socialë që nuk kanë lidhje direkte me nivelin e futbollit. Unë kam bindjen që me rritjen e konkurrencës dhe tifozët do të rikthehen gradualisht në stadiume. Mbase duhet bërë edhe një punë më e madhe nga klubet në këtë drejtim për të përmirësuar edhe klimën dhe marrëdhëniet me tifozët. Ndeshjet dhe rivaliteti i këtij sezoni janë të një niveli mjaft të mirë dhe është vërtetë mëkat që të mos ketë më shumë tifozë në stadiume për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.
Terrenet dhe stadiumet, i mendoni si faktorë në këtë vit kalendarik që po mbyllim?
– Po, infrastruktura është një faktor kyç. Kemi përparuar me disa projekte të rëndësishme, por mbetet ende shumë për të bërë pasi është një proces që kërkon impenjim të vazhdueshëm. Nuk mjafton vetëm të ndërtosh një fushë të re apo një stadium, por duhet punuar shumë për mirëmbajtjen në vazhdimësi për të pasur infrastrukturën e duhur.
Konkretisht, sa fusha futbolli janë ndërtuar nga FSHF-ja gjatë vitit që po mbyllim (2024)?
– Ne kemi ndërtuar 17 fusha futbolli, kemi realizuar 2 rikonstruksione stadiumesh si dhe 5 projekte për përmirësimin në infrastrukturën sportive.
FSHF i ka asistuar dhe vazhdon t’i mbështesë klubet për fusha e stadiumit, si përmes investimeve dhe projektit “100 fusha” që vijon, ashtu edhe në drejtim të procesit të mirëmbajtjes me anë të ekspertizës tonë. Stadiumet moderne dhe terrenet cilësore janë thelbësore për zhvillimin e futbollit.
Duke qenë një start i merkatos së dimrit, çfarë sugjeroni për skuadrat në tërësi?
– Në merkaton e dimrit nuk mund të bëhen revolucione, përveçse ndërhyrje të vogla. Sugjerimi im do të ishte që skuadrat të fokusohen në përforcime strategjike dhe jo vetëm në numra. Duhen lojtarë që përshtaten me filozofinë e ekipit dhe që mund të bëjnë diferencë. Njëkohësisht, duhet të kenë më shumë besim te të rinjtë që vijnë nga akademitë dhe t’u krijojnë atyre hapësira për të treguar vlerat.
Rolin dhe kontributin e FSHF-së gjatë vitit kalendarik 2024, si e përshkruani?
– FSHF-ja ka luajtur një rol të madh në zhvillimin e futbollit, duke investuar në infrastrukturë, edukim dhe promovim të sportit. Kemi bërë shumë në kualifikimin e trajnerëve me kurset tona formuese, zhvillimin e futbollit të fëmijëve, ekipet kombëtare të moshave, futbollin e vajzave, përgjegjësinë sociale. Kemi pritur dhe organizuar në Shqipëri me sukses 13 turne ndërkombëtarë të moshave, ku 30 ekipe kombëtare europiane janë akomoduar, stërvitur dhe kanë zhvilluar ndeshje në vendin tonë.
Cilat janë përgatitjet e FSHF-së për të pritur finalet e Kampionatit Europian U17?
– Ndërkohë që po përgatitemi për të pritur finalet e Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17. Do të jetë turneu i parë ndërkombëtar i këtij niveli që zhvillohet në Shqipëri dhe jam i bindur se do të jetë një histori suksesi. Për t’u përmendur edhe organizimi i disa takimeve dhe mbledhjeve të rëndësishme të UEFA-s që janë zhvilluar në Tiranë nën organizimin e FSHF-së, ndërkohë që shtatorin e ardhshëm do të presim për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Shqipëri.
Në shifra, cilat janë arritjet e tjera të FSHF-së gjatë vitit që po mbyllim?
Një tjetër arritje e madhe ishte nisja e projektit Elite Youth Academy në bashkëpunim me UEFA-n, që synon zhvillimin e talenteve të reja, duke ndërtuar bazat për një të ardhme të ndritur për futbollin shqiptar. Përgjatë këtij viti, Federata ka organizuar 154 kampionate kombëtare e rajonale me pjesëmarrjen e 353 klubeve, shoqatave dhe shkollave. Kemi organizuar në total 14,670 ndeshje futbolli me 23,171 futbollistë të regjistruar. 2,820 më shumë se në vitin 2023.
Kombëtarja kaloi dy etapa gjatë vitit 2024, nga finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” në eliminim te Liga e Kombeve. Cili është vlerësimi juaj?
– Finalet e Euro 2024 ishin një arritje historike, me Kombëtaren që u kualifikua për të dytën herë në histori në turneun më të madh në Europë. Një paraqitje dinjitoze ndaj tre prej skuadrave më të mëdha në kontinent, teksa edhe tifozët kanë po ashtu një paraqitje fantastike nëpër tribuna, duke krijuar emocione të paharrueshme. Ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për të gjithë dhe mendoj se e kemi shijuar shumë.
Në Ligën e Kombeve, dështuam apo ishim të pafat për t’u kualifikuar?
Dështim jo! Por, Liga e Kombeve na tregoi që kemi ende punë për të bërë. Në fakt, Kombëtarja bëri paraqitje të mirë duke e mbyllur grupin me 7 pikë dhe duke qenë deri në sekondat e fundit në garë për vendin e dytë. Për një gol, që mund ta kishim shënuar në atë pjesën të dytë të sfidës së fundit ndaj Ukrainës, por që për fat të keq nuk erdhi, ne e mbyllëm të fundit në një grup ku rivaliteti ishte shumë i lartë. S’na mbetet gjë tjetër veçse të mësojmë nga gabimet dhe të vijojmë në rrugën e progresit.
Një urim i juaj që do “trokasë” për futbollin shqiptar në mbyllje të vitit kalendarik 2024, si vjen në këtë bisedë?
– Uroj që viti i ardhshëm të sjellë edhe më shumë suksese, progres dhe gëzim për të gjithë ata që e duan futbollin shqiptar. Së bashku mund të arrijmë më shumë. Gëzuar Vitin e Ri!