Presidenti i Al Ittihad: Do t’i ofroja Messit çdo shifër, ka refuzuar 1.4 miliard euro!
Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në MLS me fanellën e Inter Miami-t, por interesi i Arabisë Saudite për yllin argjentinas mbetet i gjallë. Transferimi i tij në Shtetet e Bashkuara nuk i ka mbyllur përfundimisht dyert për një të ardhme në Lindjen e Mesme, ku disa klube janë ende gati të tentojnë një tjetër sulm për ta bindur kampionin e botës.
Që në vitin 2023, Al Hilal kishte provuar ta joshte Messin, por pa sukses. Edhe pse projekti sportiv ishte intrigues, zgjedhja përfundimtare ra mbi Floridën, një vendim i marrë në harmoni me familjen, faktor vendimtar në refuzimin e çdo destinacioni tjetër. Në të njëjtën periudhë, edhe Al Ittihad kishte lëvizur konkretisht dhe sot nuk e fsheh faktin se e mban ende gjallë atë ëndërr.
Presidenti i klubit nga Xheda, Anmar Al Haili, e ka rilançuar publikisht idenë në një intervistë të cituar nga e përditshmja spanjolle Marca, duke lënë të kuptohet se dyert janë ende të hapura.
“Nëse Messi do të pranonte të firmoste me Al Ittihad, do t’i ofroja një kontratë ku mund të fitonte sa të donte dhe për aq kohë sa të dëshironte, madje edhe për gjithë jetën”, u shpreh ai pa ekuivok.
Al Haili konfirmoi gjithashtu kontaktet e zhvilluara në fund të aventurës së Messit te Paris Saint-Germain, duke zbuluar shifra jashtë çdo standardi: një ofertë totale prej 1.4 miliardë eurosh.
“Ai refuzoi për të mirën e familjes së tij, pavarësisht përpjekjeve tona për ta bindur. Nuk hezitoi, sepse për të familja vjen para parave”, tha presidenti, duke treguar respekt për zgjedhjen e argjentinasit.
Sipas drejtuesit saudit, një transferim i mundshëm i Messit nuk do të ishte as çështje ekonomike. “Prania e tij me fanellën tonë nuk do të kishte vlerë financiare për mua. Do të ishte si të festonim titullin para se të fillonte kampionati, sepse do të kishim lojtarin më të mirë në historinë e futbollit”, përfundoi Al Haili.
KOHA JONË SONDAZH

