Presidenti i Fiorentinës sulmon Interin: Titulli u falsifikua, duhet të dënoheshin!
Presidenti i Fiorentinës, Rocco Commisso ka sulmuar ashpër Interin për problemet financiare që kishte sezonin e kaluar. Numri një i vjollcëve është shprehur se në Itali nuk ka barazi mes klubeve për respektimin e likuiditetit, që sipas tij sezonin e kaluar është fshehur nga zikaltrit.
“Problemi në Itali është se rregullat nuk zbatohen nga të gjithë. Kjo gjë shtrembëroi renditjen përfundimtare të kampionatit të fundit në Serie A. Çdo 6 muaj ne duhet të sigurojmë të dhëna mbi raportin e likuiditetit në futbollin italian. Ne dhe klubet e tjera kemi vepruar në këtë mënyrë. Unë gjithmonë kam kryer detyrën time: kam investuara para, klubi nuk ka borxhe, kështu që nëse ka nevojë për kapital, e sjell nga Shtetet e Bashkuara.
Klubet e tjera nuk kishin. Njëra prej tyre madje fitoi kampionatin. Më vonë ata duhej të korrigjonin raportin e likuiditetit duke shitur lojtarë si Lukaku dhe Hakimi. Kjo pas përfundimit të kampionatit dhe jo më parë”, deklaroi Commisso. /R.Lika-Koha Jone/