Presidenti i Ligës i përgjigjet Marottës: Interi refuzoi që të luante të hënën!
Presidenti i Ligës Italiane të Futbollit, Paolo Dal Pino ka reaguar menjëherë pas deklaratave të Marottës për falsifikim të kampionatit. Ai ka shtuar se ka ofruar që sfida të luhej të hënën në mbrëmje me praninë e tifozëve, por kjo është refuzuar nga zikaltrit.
“Unë ofrova që sfida të shtyhej për të hënën dhe të luhej me tifozë, por Interi refuzoi kategorikisht, ndaj më pas vendosëm shtyrjen e të gjithë takimeve. Unë nuk shikoj interesin e njërit apo tjetrit klub, por të Serisë A në total dhe luajtja e ndeshjeve pa tifozë, dëmton imazhin e kampionatit tonë. Në të tilla raste është e vështirë të gjesh dakordësim me të gjithë klubet.
Vendosëm për 13 majin si data e parë e lirë, nëse marrim rastin më të mirë që të dy klubet t’u shkojnë deri në fund kupave europiane. Megjithatë sfida mund të luhet edhe më herët, nëse dy skuadrat do të eliminohen dhe do të kenë mesjava të lira. Në Angli luajnë gjithmonë çdo tre ditë, për shkak të kupave të shumta dhe nuk ankohen asnjëherë”, deklaroi Dal Pino.