Presidenti Meta vlerëson 4 futbollistë të Partizanit dhe Kombëtarës: Burim i pashtershëm frymëzimi, shembuj për brezin e ri

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne katër futbollistë shquar të ekipit “Partizani” dhe atij Kombëtar shqiptar.

Presidenti i Republikës i akordoi Mikel Jankut (pas vdekjes) Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Në vlerësim jo vetëm të cilësive të një portieri të shquar, i cili e ka të gdhendur në historinë e futbollit shqiptar si “mburoja” e portës së “Partizanit” dhe e ekipit tonë Kombëtar, por edhe si gazetar dhe analist i shkëlqyer sportiv, i cili ka promovuar dhe mbrojtur me dinjitet e profesionalizëm vlerat sportive dhe qytetare.

Ndërsa me titullin Titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësuan Ilir Lame, Sulejman Starova dhe Ylli Shehu për kontributet e shquara si futbollistë të ekipit kryeqytetas “Partizani” dhe ato në Ekipin tonë Kombëtar.

Në fjalën e Tij drejtuar sportistëve kampionë të futbollit, trajnerëve dhe veteranëve të, miqve dhe familjarëve të tyre, Presidenti i Republikës u shpreh se është shumë kënaqësi të vlerësojë kontributin dhe karrierën e suksesshme por dhe të lavdishme të futbollistëve të njohur të ekipit ‘Partizani’ por dhe Ekipeve Kombëtare, ikonave të futbollit shqiptar.

“Ilir Lame: Mesfushori i hekurt dhe i pamposhtur i Partizanit;
Sulejman Starovës: Futbollisti inteligjent dhe i gjithanshëm, por edhe trajner dhe drejtues i suksesshëm;
Ylli Shehu: Sulmuesi brilant dhe golashënuesi spektakolar;
si dhe të paharruarin Mikel Janku: “Mburoja” e portës së “Partizanit” dhe Ekipit Kombëtar, por edhe gazetari dhe analisti ekselent sportiv, që u nda nga jeta para pak kohësh.
Ju jam mirënjohës për ato kujtime të pashlyeshme, për ato emocione që keni përcjellë me lojën e talentin tuaj.
Përkrah të rinjve sportistë dhe unë kam jetuar si fëmijë për gjeneratën e tyre, momente plot gëzim njerëzor dhe shpirtëror, për atë që ju keni demostruar në fushën e blertë, por edhe përtej tyre.
Një mirënjohje të veçantë dua t’u përcjell familjeve tuaja, që janë kujdesur dhe ju kanë mbështetur në çdo hap tuajin.

Ju keni qenë pjesë e gëzimit dhe e forcës së rinisë tonë dhe për të gjithë popullin.

Me lojën tuaj, keni bërë të ndjehemi krenarë dhe përkrah njëri – tjetrit, pasi keni luajtur me zemër, me ndershmëri dhe respekt reciprok, virtyte këto që futbolli dhe sporti i promovon e i lartëson dhe nuk duhet t’i humbasë kurrë.

Kujtoj me nostalgji ato fitore të bukura të ‘Partizanit’, lojën tuaj brilante e kolektive, atë frymë fisnike sportive, atë forcë e vitalitet të paharruar edhe sot.

Mbeten të paharruara brohoritjet e sportdashësve nga të gjitha stadiumet e vendit, që me aq emocione thirrnin emrat tuaj.

Edhe sot ata kujtojnë me nostalgji lojën dinjitoze e golat e bukur, sjelljen, energjinë dhe dinamizmin.

Por ju, keni qenë dhe shokë të mirë e qytetarë të respektuar, prandaj dhe simpatia ime për ju është një vlerësim i merituar për veprimtarinë tuaj fisnike e njerëzore.

Sporti është një mjet në rradhë të parë, i bashkimit shoqëror dhe jo i ndarjes, i socializimit, i cili nxit marrëdhëniet miqësore në shoqërinë tonë.

Ndeshjet e paharruara që ju keni bërë me ekipet tona Kombëtare, janë dëshmi e mrekullueshme e përgatitjes sportive dhe shpirtit tuaj konkurues, përballë ekipeve më të mira të Europës, duke nderuar veten tuaj dhe duke ngritur lart emrin e Shqipërisë tonë të dashur.

A mund të harrohet goli i Ylli Shehut kundër Ravelit të madh të Suedisë? Angazhimi juaj në këtë karrierë të gjatë sportive nuk mund të jetë i kufizuar vetëm në suksesin sportiv, pasi ai përfshin dhe angazhimin tuaj në detyra të tjera të rëndësishme të jetës civile dhe shoqërore.

Përshëndes me respekt të veçantë mësuesit dhe trajnerët tuaj, që me aq përkushtim kanë punuar që ju të rriteni, të edukoheni, të bëheni fitimtarë e të jeni gjithmonë të respektuar.

Dëshira e sinqertë që ju uroj është që jeta juaj, përveç fitoreve dhe sukseseve në karrierën sportive, të jetë një ideal i lartë i përmbushjes së plotë edhe në marrëdhëniet njerëzore dhe shoqërore.

Titujt që ju akordohen sot si lojtarë të mrekullueshëm dhe të dashur të futbollit shqiptar, janë një vlerësim i punës tuaj, i sakrificave tuaja, i djersës tuaj, i rezultateve të arritura si futbollistë, por edhe i modelit që ju jepni si qytetarë në jetën e përditshme, që duhet të jenë një burim frymëzimi për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët tanë. Ju uroj dhe njëherë suksese dhe shëndet në familjet tuaja dhe futbollit shqiptar sa më shumë suksese në të ardhmen!”, deklaroi Presidenti.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/posts/3446823978697184

 

SHKARKO APP