Protesta e Ronaldos, Liga arabe i kundërpërgjigjet futbollistit
Vendimi i Cristiano Ronaldos për të mos u aktivizuar me fanellën e Al Nassr, si formë proteste ndaj fondit të investimeve që administron katër klubet kryesore të kampionatit saudit, ka shkaktuar reagime të forta në Arabinë Saudite. Situata ka detyruar Saudi Pro League të dalë hapur në mbështetje të klubit, duke marrë një qëndrim të prerë ndaj yllit portugez.
Në një deklaratë zyrtare, Liga Saudite ka theksuar se Ronaldo ka qenë i përkushtuar ndaj Al Nassr që nga momenti i transferimit dhe ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e profilit dhe ambicieve të klubit. Megjithatë, mesazhi ishte i qartë: asnjë lojtar, pavarësisht statusit apo famës, nuk mund të marrë vendime që shkojnë përtej kompetencave të klubit.
“Cristiano ka qenë plotësisht i angazhuar me Al Nassr dhe ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e klubit. Si çdo futbollist i nivelit të lartë, ai synon fitoren. Por asnjë individ, sado i rëndësishëm të jetë, nuk vendos mbi klubin”, thuhet në reagimin e ligës.
Saudi Pro League ka mbrojtur gjithashtu modelin e menaxhimit të kampionatit, duke nënvizuar se gara është e hapur dhe e balancuar. Sipas ligës, renditja e ngushtë mes skuadrave dhe lufta e fortë për titull janë prova se sistemi aktual po funksionon.
Protesta e Ronaldos ka ngritur pikëpyetje për stabilitetin dhe marrëdhëniet brenda futbollit saudit, veçanërisht duke pasur parasysh kontratën e tij afatgjatë me Al Nassr.
Sulmuesi portugez është i lidhur me klubin deri në vitin 2027, me një përfitim vjetor prej rreth 200 milionë eurosh, ndërsa kontrata përfshin edhe një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh në rast se ai vendos të ndërpresë marrëveshjen përpara afatit.
KOHA JONË SONDAZH

