PSG mposht me penallti Marseille, rrëmben Superkupën e Francës
Finale e re, triumf i ri për Paris Saint-Germain. Kampionët në fuqi të Ligue 1 kanë fituar edhe Superkupën e Francës, duke mposhtur Marseille-n e drejtuar nga Roberto De Zerbi me rezultatin 6-3 pas goditjeve të penalltive, në finalen spektakolare të zhvilluar në Kuvajt.
Ndeshja dhuroi emocione të shumta dhe u vendos vetëm në sekondat e fundit dhe nga pika e bardhë. PSG kaloi në avantazh herët me golin e Dembélé në minutën e 13-të, por Marseille reagoi në pjesën e dytë: Greenwood barazoi në minutën e 76-të nga penalltia. Drama vazhdoi edhe në fund, kur autogoli i Pachos në minutën e 87-të i dha avantazhin marsejezëve, përpara se Gonçalo Ramos të rikthente baraspeshën në minutën e 95-të.
Pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt, gjithçka u vendos nga gjuajtjet e penalltive. Hero i parizienëve u bë portieri Chevalier, i cili priti goditjet e O’Riley dhe Traore, duke i hapur rrugën PSG-së drejt trofeut.
Paris Saint-Germain ngriti për herë të 14-të në historinë e tij Trophée des Champions, një dominim i qartë në futbollin francez, me 12 trofe të fituar në 13 vitet e fundit.
KOHA JONË SONDAZH

