PSG shkatërron Marseillen 5-0 në “Parc des Princes”, dominim total në “Classique”
Paris Saint-Germain ka dhuruar një paraqitje spektakolare, duke mposhtur bindshëm 5-0 rivalët e Marseille në “Parc des Princes”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 21-të të Ligue 1. Kryeqytetasit dominuan nga fillimi në fund, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe kryesimin në kampionat.
Ousmane Dembélé ishte protagonisti absolut i pjesës së parë. Sulmuesi francez zhbllokoi rezultatin në minutën e 12-të dhe u rikthye për të shënuar sërish në minutën e 37-të, duke e mbyllur fraksionin e parë me avantazhin 2-0 për PSG-në.
Në pjesën e dytë, skuadra e Luis Enrique-s e thelloi edhe më shumë epërsinë. Në minutën e 64-t, Facundo Medina devijoi topin në portën e tij, duke shënuar një autogol. Vetëm tre minuta më pas, Khvicha Kvaratskhelia realizoi golin e katërt, ndërsa Lee Kang-in vulosi fitoren e thellë në minutën e 74-t.
Paris Saint-Germain shkon në kuotën e 51 pikëve dhe kryeson i vetëm renditjen e Ligue 1. Ndërkohë, Marseille mbetet në vendin e katërt me 39 pikë, pas një mbrëmjeje për t’u harruar në kryeqytet.
KOHA JONË SONDAZH

