
Presidenti i Paris Saint-Germain, Nasser Al-Khelaïfi, vlerësoi punën e të gjithë klubit pas fitimit të çmimit si klubi më i mirë i sezonit 2026 në ceremoninë e Topit të Artë.
Paris Saint-Germain ka fituar për të dytin vit radhazi çmimin si klubi më i mirë i sezonit në ceremoninë e Topit të Artë. Ky vlerësim ka sjellë krenari në radhët e klubit francez, ndërsa presidenti Nasser Al-Khelaifi theksoi rëndësinë e punës së përbashkët që qëndron pas suksesit.
Në deklaratën e tij, drejtuesi i PSG-së vlerësoi kontributin e trajnerit Luis Enrique, stafit të tij, këshilltarit sportiv Luis Campos, futbollistëve dhe të gjithë punonjësve të klubit.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për PSG-në të marrë këtë çmim si klubi i sezonit për të dytin vit radhazi. Ky trofe shpërblen punën e palodhur dhe standardet e larta të të gjithë anëtarëve të klubit, nga trajneri Luis Enrique dhe stafi i tij, te Luis Campos, lojtarët dhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë që PSG të vazhdojë të rritet dhe të shkëlqejë”, u shpreh Al-Khelaïfi.
Presidenti komentoi gjithashtu edhe numrin e madh të futbollistëve të PSG-së që morën vlerësime individuale, pavarësisht se asnjëri prej tyre nuk arriti të përfundonte në podium.
“Të shohësh kaq shumë lojtarë tanë në garë është një nder, por edhe pasqyrim i forcës sonë: një grup i bashkuar nga e njëjta ambicie. Do të vazhdojmë të ndërtojmë me durim dhe vendosmëri, duke e zhvilluar klubin, Parisin dhe Francën në mbarë botën”, përfundoi presidenti i PSG-së.
