Qazim Laçi i bindur: Kemi zemër dhe mentalitet për të fituar ndaj Serbisë!

Kombëtarja shqiptare ka hyrë zyrtarisht në fazën përgatitore për përballjen e zjarrtë ndaj Serbisë, e cila luhet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Mesfushori luftarak Qazim Laçi, një nga lojtarët më të palodhur të kuqezinjve, dha mesazhe të qarta për mentalitetin dhe përkushtimin e ekipit para kësaj sfide vendimtare për kualifikueset e Botërorit 2026.

Në një prononcim për mediet, Laçi theksoi se, pavarësisht koeficientëve dhe përllogaritjeve të jashtme, në fushë gjithçka do të vendoset nga zemra dhe lufta: “Serbia mund të jetë më e favorizuar në letra, por në fushë nuk ka favoritë. Jemi ekipe të barabarta dhe luajmë në shtëpinë tonë. Do të japim më shumë dhe nuk do të ndikohemi nga emocionet e tifozëve.”

Lidhur me mbështetjen e publikut kuqezi, Laçi shprehu besim të plotë: “Tifozët tanë janë gjithmonë pranë nesh, nuk kanë bërë kurrë trazira dhe do të jenë korrekt si gjithmonë. Do na japin forcë për të luftuar deri në fund.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Sa i takon gjendjes fizike pas përfundimit të kampionatit, ai theksoi rëndësinë e përgatitjes mendore: “Po stërvitemi mirë fizikisht, por mbi të gjitha mentalisht. Mentaliteti është çelësi, sepse kur je i përgatitur në kokë, reagon më mirë edhe fizikisht.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Laçi u ndal edhe te rëndësia e fokusit taktik dhe psikologjik: “Forca jonë është mbështetja e tifozëve dhe fakti që luajmë në shtëpi. Duhet të hyjmë në fushë me mendimin për tri pikët dhe të mos lëmë emocionet të na kontrollojnë. Udhëzimet e trajnerit duhet të zbatohen me përpikëri.”

Ndërsa komentoi rëndësinë e ndeshjes kundër Serbisë, ai theksoi se zemra nuk mungon në këtë skuadër: “Nuk besoj se këtij ekipi i mungon zemra. E kemi treguar vazhdimisht që kemi mentalitet dhe dëshirë për të fituar.”

Në fund, Laçi paralajmëroi se fitorja ndaj Serbisë duhet të pasohet edhe me një rezultat pozitiv ndaj Letonisë: “Nuk ka ndeshje të lehta. Duhet të kemi në mendje që kemi dy ndeshje. Tri pikët me Serbinë nuk vlejnë sa duhet nëse nuk fitojmë edhe ndaj Letonisë.”

Përgatitjet e Kombëtares nisin pasditen e së hënës në orën 17:30, me stërvitjen e parë në “Shtëpinë e Futbollit”. Kuqezinjtë janë të vendosur që këtë sfidë ta përballojnë me shpirt, disiplinë dhe, siç e tha vetë Laçi – zemër shqiptari.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?