“Qemal Stafa” gati për derbin, tifozët gati për festë, çmimet fantastike
Stadiumi “Qemal Stafa” është gati për derbin e së premtes, ora 19.00, dhe vendet janë ndarë për tifozët që duan të ndjekin ndeshjen derbi Tirana – Partizani. Bardheblutë, organizatorë të kësaj sfide kanë bërë të ditur tribunat ku do të qëndrojnë dy tifozeritë si dhe çmimet përkatëse. Sot 24 herë kampionët janë gati t’i kthejnë borxhin Partizanit, pasi ndarja është e njëjtë me atë të fazës së dytë kur të kuqtë ishin pritës. Ndryshimi i vetëm në këtë derbi janë çmimet e vendosura për tifozeritë. Kështu tifozët e Tiranës do të qëndrojnë në tribunën kryesore A, ndërsa kryqëzimi do të jetë me ndarjet D1 dhe D2 në tribunën përballë, që njihet si 20-shja. Gjithashtu për tifozët bardheblu do të jetë në dispozicion edhe tribuna C, që është ngjitur me tribunën D1, e njohur ndryshe 10-shja nga qyteti. Për tifozët e Partizanit do të jetë në dispozicion tribuna kryesore B, pjesa më e madhe e D-3 si dhe tribuna E, që njihet ndryshe si dhjetëshja tek sahati. Çmimet e lira të vendosura nga klubi i Tiranës tregon që klubi bardheblu dëshiron ta kthejë në festë për kryeqytetin këtë 90 minutësh derbi. Në Tribunat Qendrore A dhe B bileta kushton 1500 lekë (të reja), teksa pjesa tjetër e stadiumit do të ketë të njëjtin çmim, me vlerën 300 lekë (të reja). Të premten rikthehen ndeshjet në “Qemal Stafa” dhe pritet që derbi të kthehet sërish në një arene festive.
KOHA JONË SONDAZH

