Rabiot zbarkon në Milano: Jam i lumtur, forca Milan!
Adrien Rabiot është futbollisti më i ri i Milanit. Mesfushori francez ka mbërritur këtë mëngjes në aeroportin e Linate-s, pas impenjimeve me kombëtaren franceze, duke nisur kështu zyrtarisht aventurën e tij të dytë në futbollin italian.
I shoqëruar nga bashkëkombësi i tij, portieri Mike Maignan, 30-vjeçari u drejtua menjëherë drejt qendrës stërvitore në Milanello. Aty e pret një rikthim i veçantë: takimi me Massimiliano Allegrin, trajnerin me të cilin ka ndarë tre vite të rëndësishme te Juventus, duke ndërtuar një raport të fortë.
Pak orë më parë, Rabiot përshëndeti publikisht Olympique Marseille në rrjetet sociale, klub me të cilin u nda pas një episodi të tensionuar, një përplasje me shokun e skuadrës, Rowe, që solli prishjen e marrëdhënieve. Ironikisht, dy futbollistët do të ndeshen përsëri këtë të diel.
Mesfushori francez vjen në Milano pas një periudhe jo shumë të lehtë: fërshëllyer nga tifozët e Francës në miqësoren kundër Islandës (mbrojtur më pas nga Deschamps), dhe me vetëm një paraqitje si titullar këtë sezon me Marseille, më 15 gusht kundër Rennes. Në kombëtare është aktivizuar vetëm si zëvendësues në dy raste.
Forma e tij fizike nuk është ende optimale, ndaj është e vështirë ta shohim si titullar në ndeshjen Milan–Bologna, që luhet të dielën në mbrëmje në “San Siro”. Megjithatë, debutimi i tij me fanellën kuqezi me numrin 12 mund të ndodhë në pjesën e dytë.
KOHA JONË SONDAZH

