Rama: Tifozët një kornizë për derbin, ja përse e dënuam Malën
Në konferencën e zakonshme për shtyp para derbit ndaj Tiranës, te Partizani ishte i pranishëm edhe drejtori i të kuqve Olsi Rama. Fillimisht ai komentoi situatën e Malës, i cili është rikthyer në ekipin e parë.
“Situata e Malës është krijuar si pasojë e politikës së klubit për të investuar te lojtarët e rinj. Në mënyrë që të rritet sportivisht dhe ekonomikisht. Qëlloi që ishte Mala, por mund të ishte çdo lojtar tjetër. Për rinovimin e kontratës së Malës kemi punuar edhe vjet dhe kemi bërë hapa para. Ne me Malën kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe kemi arritur një akord, që ai do të jetë lojtari i Partizanit dhe do luajë për të në Shqipëri. Do t’i krijojmë mundësinë që ai të luajë jashtë dhe në momentin që do të vijnë ofertat dhe do të jenë të mira do merren parasysh.
Duke parë vlerat e tij si lojtar dhe si person, vendosëm që ta riintegronim në ekipin e parë, që të shfaqë gjithçka dhe të kontribuojë për Partizanin. Bashkëpunimi nuk është vetëm për këtë sezon, por edhe për të ardhmen. Nëse atij i vjen një ofertë nga një kampionat prestigjioz do t’ia mundësojmë që ai të shkojë. Të njëjtën gjë do të bëjmë dhe me lojtarët e tjerë. Ashtu si me Trashin, Çinarin apo Bardhin. Ata e dinë shumë mirë që nuk do të kenë pengesa.
Presidenti Demi po bën një investim te kompleksi, një investim që duhet të kthehet në njëfarë mënyre. Dhe mënyra më e mirë për t’u kthyer është nëpërmjet talenteve të reja, që do sjellin të ardhura në arkat e Partizanit. Me qëndrimin tonë, donim të tregonim këtë gjë. Duhet të kuptojmë që kur klubi investon, pretendon një të ardhme nga kjo. Jo të gjitha investimet dalin fitimprurëse. Klubi nuk ankohet dhe merr përsipër çdo gjë. Në këtë situatë janë të gjithë fitues.
Derbi? Në fillimet e epokës “Demi”, Partizani, me sa mbaj mend, ka shkuar në pozita të disfavorshme sa i përket klasifikimit. Mbaj mend vetëm një ndeshje të Kupës, që ne ishim në kategoritë inferiore dhe na kanë mbështetur së tepërmi tifozët. Mbas gjashtë vitesh u thye kjo tabuja. Ekipi tashmë e ka kuptuar rrugën që do ta ndjekë me trajnerin e ri. Në ndeshjet derbi nuk kanë nevojë për t’u dhënë moral lojtarëve, pasi motivohen vetë. Pres stadiumi të jetë plot. Një stadium plot është korniza e një ndeshjeje, pak rëndësi ka cilët janë më shumë.
Kritikat ndaj gjyqtarëve? Nuk para ankohem për arbitrat. Unë u ankohem arbitrave aq sa u ankohem lojtarëve të mi kur gabojnë. Pavarësisht dy episodeve që ndodhën në atë ndeshje (me Bylisin), ne e kishim në dorë që ta mbyllnim dhe ta fitonim. Aq sa mund të ankohem për lojtarët, aq do ankohem dhe për arbitrat. Nuk besoj që i bën keq arbitrave t’iu vësh në dukje gabimet. Deklarata të tilla u bëjë mirë organeve që të rritin cilësinë. Ky kampionat ka pasur shumë gabime, madje dhe foshnjarake. Në momentin, kur cënimi i garës sportive ka prapaskena, është e vërtetë që do ketë dhe reagime. Deri tani nuk e cilësoj të tillë. Partizani është klub, ankesat janë për të mirën e garës sportive. Nuk janë ankesa në rolin e një humbësi, pasi nuk e kemi zakon.