Real Madridi piketon në merkato yllin e mesfushës së Liverpoolit

Teksa sezoni aktual është në kulmin e tij, Real Madrid ka nisur tashmë planet për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ardhshëm. Një nga emrat që po qarkullon gjithnjë e më shumë në zyrat e “Santiago Bernabéu” është ai i mesfushorit argjentinas të Liverpool-it, Alexis Mac Allister.
Sipas burimeve pranë klubit, presidenti Florentino Perez është një admirues i madh i lojtarit, ndërsa interesimi për të është shtuar ndjeshëm pas një deklarate të fundit të babait të futbollistit.
Në një intervistë të dhënë për mediat në Argjentinë, ai theksoi se Alexis është i lumtur te Liverpool, por shtoi se e tërheq shumë futbolli spanjoll dhe veçanërisht La Liga.
Kjo deklaratë ka nxitur spekulimet për një transferim të mundshëm në Madrid, me “Los Blancos” që kërkojnë të përforcojnë mesfushën me një lojtar të profilit të Mac Allister, teknik dhe me eksperiencë ndërkombëtare.