Real-Marseille klasifikohet si ndeshje me “rrezikshmëri të lartë”, ja arsyeja
Real Madrid po përgatitet për debutimin në këtë edicion të Champions League, ku të martën në “Santiago Bernabeu” do të presë Olympique Marseille të Roberto De Zerbit.
Për skuadrën e Xabi Alonsos nuk pritet një përballje e lehtë, pavarësisht se francezët nuk e kanë nisur mirë kampionatin dhe janë të përfshirë në polemika pas incidentit mes lojtarëve Roëe dhe Rabiot, të cilët tashmë janë transferuar respektivisht te Bologna dhe Milan.
Sfida, megjithatë, është cilësuar problematike edhe për çështje sigurie. Autoritetet spanjolle presin në Madrid mijëra tifozë francezë, të njohur për pasionin e tyre, por shpeshherë edhe për episode të dhunshme. Për këtë arsye, Ministria e Brendshme e Spanjës ka klasifikuar ndeshjen si me rrezik të lartë.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje shtesë mbi masat e veçanta, por është konfirmuar se kontrollet e sigurisë do të jenë më të rrepta rreth stadiumit. Nuk përjashtohet mundësia që të merren edhe vendime të tjera shtesë ndërkohë që afron data e ndeshjes. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

