Reali dhe Barça të favorizuar nga gjykimi në Champions, 15 karton të kuq në favor
Kartoni i kuq për Freuler të Atalantës në sfidën ndaj Real Madrid krijoi shumë polemika. Ishte kartoni i kuq i 15-të në favor të Real Madrid në fazën e eliminimit direkt në Champions League. Një rekord i veçantë i ndarë me rivalët historikë spanjollë të Barcelonës.
Në të gjitha rastet janë kualifikuar gjigantët spanjollë, ndërsa kësaj here mbetet për t’u parë nëse Los Blancos do të kalojnë në fazën tjetër, teksa janë në avantazh të një goli në fushën e tyre në sfidën e kthimit.
Në mediat sociale ka shumë ironi nga tifozët që akuzojnë dy emrat e mëdhenj spanjollë si të favorizuar nga gjyqtarët, por statistikat mund të shpjegohen edhe me faktin se Real dhe Barça janë ndër skuadrat që kanë luajtur më shumë ndeshje në Champions. Trajneri i Atalantës Gian Piero Gasperini, e ka quajtur këtë një vetëvrasje të futbollit.
“Nuk e kuptoj akoma atë vendim. Kjo është vetëvrasje e futbollit. Nuk them asgjë përndryshe UEFA më skualifikon për dy muaj. Ne nuk mund të kemi arbitra që nuk dallojnë një faull nga një pengesë. Ne flasim për atë që është një kontakt. Nëse ata nuk e kuptojnë këtë, duhet të bëjnë një punë tjetër: nuk është shkencë rakete, nuk është e nevojshme të jesh inxhinier i NASA-s për të kuptuar këto gjëra”, deklaroi Gasperini. Atalanta do të kërkojë të surprizojë pas dy javësh në Madrid, por me humbjen 1-0 në Bergamo do të jetë tepër e vështirë.