Reali fitoi 6-1 por Bellingham përplaset me tifozët pas episodit në fushë
Fitorja e thellë 6-1 ndaj Monacos në “Santiago Bernabeu”, vendi i dytë në renditjen e Champions League dhe rikthimi real në garë për titull në La Liga, vetëm një pikë larg Barcelonës kryesuese, dëshmojnë se sezoni i Real Madridit po rikthehet në shina pas periudhës së vështirë dhe shkarkimit të Xabi Alonsos. Megjithatë, pavarësisht rezultateve pozitive, klima mes skuadrës dhe tifozëve mbetet e tensionuar.
Në ndeshjet e fundit, publiku madrilen nuk i ka kursyer fishkëllimat ndaj lojtarëve, një pakënaqësi që u reflektua qartë në festimin polemik të Jude Bellingham pas golit të gjashtë ndaj Monacos. Mesfushori anglez u bë protagonist jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke ndezur debat të fortë në rrjetet sociale.
Bellingham është kritikuar së fundmi për stilin e jetesës, me akuza se frekuenton tepër jetën e natës në Madrid, në dëm të paraqitjeve sportive. Pas realizimit të golit për 6-1, ai reagoi në mënyrë provokuese: vendosi gishtin e madh te goja, ngriti gishtin e vogël dhe hodhi kokën pas, duke imituar pirjen e një “shot”-i, gjest që e përsëriti disa herë përpara se të qeshte me shokët e skuadrës.
Pas ndeshjes, anglezi sqaroi kuptimin e festës së tij, duke lënë të kuptohet se ishte një përgjigje ndaj kritikave. “Festimi im? Shumë njerëz thonë shumë gjëra. Unë e di se si qëndron e vërteta dhe në një farë mënyre ishte një hakmarrje ndaj tifozëve”, u shpreh Bellingham.
KOHA JONË SONDAZH

