Reali i pandalshëm në La Liga, mund me 4 gola Valencian
Real Madrid ka fituar 4-0 ndaj Valencia-s në “Santiago Bernabeu”, për javën e 11-të në La Liga. Skuadra e Xabi Alonsos mbylli llogaritë që në pjesën e parë, duke realizuar tre gola brenda 45 minutave.
Kylian Mbappé ishte protagonist absolut, me dy gola në minutat 19 dhe 31, ndërsa Jude Bellingham vulosi pjesën e parë me golin e tretë në minutën e 44-të. Në fraksionin e dytë, Real Madrid shtoi edhe golin e katërt me Carreras në minutën e 82-të, duke e mbyllur ndeshjen me një rezultat të pastër 4-0.
Me këtë dopietë, Mbappé arrin në kuotën e 13 golave sezonalë, duke udhëhequr renditjen e golashënuesve të La Ligës; ndjekësi më i afërt është Julian Álvarez me 7 gola.
Kjo fitore konfirmon ecurinë pothuajse perfekte të madrilenëve: 30 pikë në 11 ndeshje, me 10 fitore dhe vetëm një humbje, përfshirë edhe triumfin në “El Clásico” ndaj Barcelonës javën e kaluar.
KOHA JONË SONDAZH

