Reali përmbys Bajernin në Mynih, Zidane drejt finales së tretë (VIDEO)

Reali i Madridit ka marrë një fitore me shumë peshë në gjysmëfinalen e parë ndaj Bajernit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt finales së madhe të Kievit. “Los Blancos” kanë triumfuar 2-1 në “Allianz Arena” në një duel që dhuroi shumë emocione. Ndeshja nisi më mirë për bavarezët që mund të kishin kaluar në avantazh që në minutën e parë, por Myler nuk shfrytëzoi si duhet pasimin e Levandovskit. Vendasit ndërkohë morën një goditje të rëndë në minutën e 8-të, teksa Roben pësoi një dëmtim muskulor duke lënë fushën e lojës, ndërkohë që vendin e tij e zuri Tiago Alkantara.

Bajerni i Mynihut zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të. Xhoshua Kimish mori një pasim fantastik në krahun e djathtë nga Hames Rodriguez dhe më pa nga një pozicion i prirët godet duke befasuar portierin Navas. Vendasit ndërkohë janë të pafat pasi dëmtohet edhe Boateng, i cili i lë vendin Zyles. Në minutën e 34-të Riberi kishte shansin për të shënuar, por futbollisti francez kontrolloi shumë keq topin brenda zonës, duke i dhënë mundësinë gardiani të Realit që të kontrollonte lojën. Në minutën e 41-të, Levandovski devijon topin me kokë, i cili më pas shkon te Humels, por mbrojtësi gjerman godet shumë keq edhe pse ishte në një distancë shumë të afërt me portën. Madrilenët janë të përgjumur, teksa Myler për pak sa nuk dërgon në rrjetë një top në zonë, i cili devijohet nga mbrojtja. Në momentin më të mirë të Bajernit, Reali i Madridit ka ndëshkuar Bajernin, duke barazuar rezultatin.

Pas një rrëmuje në kufijtë e zonës së gjermanëve në minutën e 44-të, Marselo godet me të majtën duke e dërguar topin në cepin e portës së Ulrih, i cili nuk ka asnjë mundësi reagimi. Pjesa e parë u mbyll me një goditje me kokë të Levandovskit, ndërkohë që skuadra gjermane e nis vrullshëm fraksionin e dytë. Riberi dhuron spektakël në minutën e 50-të, por pasimi magjik i francezit nuk shfrytëzohet nga Myler, i cili nuk mundi ta devijonte topin mes Ramos dhe Varane. Gjithsesi golin e gjejnë sërish madrielnët, teksa në minutën e minutën e 57-të, Rafinja i dhuron topin Asensios, i cili kombinon me Vazkez dhe më pas mposhtë portierin Ulraih.

Swiss Digital Desktop Reklama

Reagimi i Bajernit është i menjëhershëm me Riberi që dhuron spektakël në zonë, por Navas e ndal mrekullisht në shtyllën e parë. Në minutat në vijim ekipi i Hejkens humbet një tjetër mundësi të artë me Myler, ndërkohë që në krahun tjetër Benzema ndalet nga një pritje spektakolare e Ulraih. Dy minuta nga fundi i kohës së rregullt, Levandovski u gjend përballë portierit Navas, por goditja e bomberit polak përfundoi jashtë kuadratit. Reali ruajti mjaft mirë avantazhin deri në fund, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Ndeshja e kthimit do të luhet të martën e ardhshme në “Santiago Bernabeo”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?