Reali triumfon me vuajtje ndaj Alaves, por Mbappe “skuqet”

Real Madridi ka siguruar një fitore të vuajtur, 0-1 në fushën e Alaves në kuadër të javës së 31-të të La Ligas. Në minutën e 33-të, madrilenët gjetën golin që vendosi fatin e ndeshjes. Eduardo Camavinga realizoi me një goditje të fuqishme jashtë zone, duke kaluar “Los Blancos” në avantazh.

Pak minuta më pas, në të 38-tën, Reali mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Kylian Mbappes për një ndërhyrje të rëndë ndaj kundërshtarit.

Përpjekjet e Alaves për të barazuar u komplikuan në minutën e 72-të, kur edhe ata mbetën me dhjetë lojtarë. Manu Sanchez u përjashtua me karton të kuq pas një faulli të rëndë ndaj Vinicius Junior.

Pavarësisht rasteve në të dy krahët, rezultati nuk ndryshoi deri në fund. Reali mban gjallë shpresat për titull, ndonëse mbetet 4 pikë pas Barcelonës kryesuese.

SHKARKO APP