Reali triumfon ndaj Espanyol dhe mbetet në krye, shënon edhe Mbappe
Real Madridi vazhdon marshimin perfekt në La Liga, duke regjistruar fitoren e pestë radhazi në pesë javë kampionat. Në “Santiago Bernabéu”, skuadra e Xabi Alonsos mposhti 2-0 Espanyolin e Gonzalezit, një prej formacioneve më në formë të fillimit të sezonit.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 22-të me një supergol nga Eder Militão, që goditi fuqishëm nga distanca duke surprizuar të gjithë. Madrilenët e mbyllën pjesën e parë në avantazh dhe e nisën me vrull fraksionin e dytë: në minutën e 48-të, Kylian Mbappé dyfishoi rezultatin, duke arritur shifrën 5 gola në 5 ndeshje të La Ligës.
Vinicius ishte pranë golit në minutën e 66-të, por u ndal nga shtylla, ndërsa në radhët e Espanyolit u përpoq të spikaste italiani Luca Koleosho, i cili nuk arriti të thyejë mbrojtjen e “Los Blancos”. Në minutën e 89-të pati vend edhe për debutimin e Jude Bellingham nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Me këtë fitore, Real Madridi ngjitet në kuotën e 15 pikëve dhe udhëheq i vetëm La Ligën, me +5 ndaj Barcelonës, që do të zbresë në fushë të dielën kundër Getafes. Espanyoli, nga ana tjetër, mbetet në kuotën e 10 pikëve.
KOHA JONË SONDAZH

