Rei Manaj konflikt me De Biazin, mund të humbasë ndeshjen e radhës në botëror
Talenti nuk i vihet në diskutim. Rej Manaj është një nga sulmuesit më të mirë potencialë të kombëtares shqiptare, por duket se djaloshi i ri ka gjithsesi probleme.
Një konflikt i tij me trajnerin De Biazi mësohet se ka ndodhur në një nga ndeshjet e fundit të përfaqësueses.
Burime nga stafi kuqezi bëjnë me dije se një debat i ashpër është bërë mes italianit dhe Manajt, në miqësoren Shqipëri-Marok në 31 gusht në Shkodër, pasi sulmuesi nuk ishte në formacion, dhe nuk ishte as mes 6 zëvendësuesve të hedhur në fushë në pjesën e dytë.
Manaj nuk e ka pritur aspak mirë zgjedhjen e trajnerit dhe ka reaguar duke krijuar një atmosferë të pakëndshme vetëm pak ditë para ndeshjes së Botërorit ndaj Maqedonisë.
Më pas ai u huazua tek Shqipëria U21 që luajti ndeshjen e saj të Europianit në Greqi, por duket se De Biazi nuk ka ndërmend ta mbyllë kaq lehtë konfliktin.
Ekziston mundësia që sulmuesi 19-vjeçar të mos grumbullohet për takimin e 6 tetorit në fushën e Lihtenshtajnit, në mënyrë që t’i jepet një mesazh për të ardhmen.
Përplasja mes të dyve nuk është e re, pasi rreth 1 vit më parë, Manaj e sulmoi trajnerin duke e akuzuar si gënjeshtar, diçka për të cilën kërkoi falje.
Burimet në stafin teknik thonë se De Biazi ka marrë si shembull ish-kapitenin Lorik Cana, që u la në stol në ndeshjen e Europianit ndaj Rumanisë, dhe nuk bëri asnjë polemike, ndërsa po ashtu polemika nuk kanë bërë as lojtarët e tjerë si Basha, Cikalleshi apo Memushaj.
Më herët, probleme me reagimin ka pasur Ergys Kaçe, por duket se mesfushori ka ndryshuar, ndërsa një moment gjaknxehtësie ishte ai I Taulant Xhakës në ndeshjen ndaj Zvicrës, në Euro 2016.
KOHA JONË SONDAZH

