Rekordmeni Aguero mendon largimin në 2021-n, City hidhet në sulm për dy super sulmues
Sergio Aguero hyri në librin e rekordeve gjatë fundjavës si sulmuesi më i mirë i huaj në historinë e Premier League duke shënuar tri gola ndaj Aston Villa-s. Sulmuesi argjentinas kaloi Thierry Henry dhe tashmë synon të arrijë 187 golat e Andy Cole, por e ardhmja e tij duket ende e paqartë.
Në moshën 31 vjeç, argjentinasi mund të mendojë që ta mbyllë karrierën në vendin e tij të lindjes, te Independiente, pasi ka një kontratë deri në vitin 2021. Pikërisht për këtë motiv, “qytetarët” mund të humbasin pas dy vitesh me kosto zero dhe duhet të mendojnë për një tjetër sulmues të madh.
Mediat angleze raportojnë se dy janë emrat më të përfolur për ta zëvendësuar, Harry Kane dhe Lautaro Martinez. Gara për të siguruar shërbimet e tyre nuk do të jetë aspak e thjeshtë, pasi edhe Barcelona është në kërkim të një bomberi të një niveli të lartë. Vetëm Gabriel Jesus nuk mund të jetë një garanci për një nga skuadrat më të mira në Europë. /R.Lika-Koha Jone/