Rey Manaj mund të rikthehet në kampionatin turk të futbollit
Mediat turke kanë hedhur së fundmi dritë mbi të ardhmen e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Rei Manaj, duke ndezur spekulimet për një rikthim të mundshëm në futbollin turk.
Sipas raportimit të “yenisafak.com”, Manaj ka shprehur përmes menaxherit të tij dëshirën për t’u rikthyer te Sivaspori, skuadra kuqe e bardhë që aktualisht militon në Ligën e Parë të Turqisë dhe ndodhet në garë për ngjitjen në Superligë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se sinjalet nga sulmuesi shqiptar janë pritur pozitivisht, megjithëse ende nuk ka një ofertë zyrtare.
Manaj është aktualisht nën kontratë me Sharjah FC, me të cilin firmosi një marrëveshje dyvjeçare. Me klubin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ish-lojtari i Interit dhe Barcelonës ka regjistruar 16 paraqitje, duke realizuar 6 gola.
Vlen të theksohet se Sharjah investoi rreth 2 milionë euro për kartonin e sulmuesit shqiptar, që e bën një transferim të mundshëm të vështirë, por jo të pamundur. E ardhmja e Rei Manajt pritet të qartësohet në javët në vijim, me Sivasporin që shpreson ta rikthejë një nga emrat më të spikatur të historisë së fundit të klubit.
KOHA JONË SONDAZH

