Rey Manaj shpërthen ndaj trajnerit Calimbay, e ardhmja e tij në dyshim

Tension i fortë në kampin e Sivasspor, ku një përplasje e hapur ka shpërthyer mes sulmuesit shqiptar Rey Manaj dhe trajnerit Riza Calimbay. Edhe pse klubi njoftoi zyrtarisht se Manaj është i dëmtuar, lojtari ka hedhur poshtë këtë version, duke akuzuar trajnerin për vendime të ndikuara nga ego personale.

“Ndonëse kam dy muaj që luaj i dëmtuar, kam dhënë gjithmonë maksimumin. U stërvita me ekipin dy ditë para ndeshjes dhe isha i gatshëm të aktivizohesha, qoftë edhe si zëvendësues. Por trajneri kishte plane të tjera dhe zgjodhi të më linte jashtë, duke më lajmëruar me një mesazh,” – deklaroi Manaj në një reagim të fortë në rrjetet sociale.

“Egoja personale nuk mund të vihet mbi interesat e skuadrës, por për fat të keq, rezultatet tregojnë që kjo ka ndodhur,” shtoi ai. Pavarësisht se ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2026, situata e tensionuar me stafin teknik dhe rënia e mundshme e Sivasspor nga elita turke, kanë hapur diskutimet për të ardhmen e sulmuesit.

Me 12 gola të shënuar në Superligën turke këtë sezon, Rey Manaj pritet të jetë një nga emrat më të kërkuar në merkaton e verës dhe mund të largohet nga Sivasspor për të vijuar karrierën në një klub tjetër.

SHKARKO APP